Albin Kurti & Ramush Haradinaj Foto: KALLXO.com

Albin Kurti e quan të gabuar dorëheqjen e “vonuar” të kryeministrit Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj në fund të mbledhjes së sotme ka dhënë dorëheqje nga posti i tij i Kryeministrit.

 

Dorëheqja e tij erdhi pasi që i njëjti ka thënë se është ftuar nga ana e Gjykatës Speciale dhe ka vendosur që atje të shkoj jo si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës.

Kjo dorëheqje morri vëmendje brena minutave.

Të shumta kanë qenë reagimet pas dorëheqjes së Haradinajt.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Kryeministri Haradinaj ka qenë dashur të jap dorëheqje moti.

Ai e ka quajtur dorëheqjen si të vonuar dhe me arsye të gabuara.

Më poshtë lexoni të plotë deklaratën e Albin Kurtit.

 Z.Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Moti është dashur të japë dorëheqje. Psh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur me 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje “Ahtisaari Plus” me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj.

Së fundi e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro…

Ne ishim e jemi kundër Gjykatës Speciale. Kemi nevojë për gjykata normale kundër krimit e korrupsionit në paqe dhe jo për edhe një gjykatë speciale kundër kinse krimeve të luftës së UÇK-së. Ata që e votuan, e vunë veten e tyre dhe gjithë Kosovën nën shantazhin e interesave gjeopolitike jashtë kontrollit tonë.

Për drejtësi të vërtetë, zhvillim të qëndrueshëm, progres shoqëror, demokraci institucionale, menjëherë nevojiten zgjedhje të reja parlamentare.

Duhet të flasë populli, të cilin aq shumë e shtypën dhe e zhvatën.

 

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.