Albin Kurti në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Video: Përballja e Albin Kurtit me Gjykatësin Kalludra

Në fjalën e tij në gjykatë në gjykimin për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti foli edhe për gjyqtarin Kalludra.

Kurti ia përmendi Kalludrës ndjekjen e thënieve të ish-liderit nazist gjerman Adolf Hitler.

Kurti e quajti Kalludrën “simpatizues të fashizmit”.

Mediat raportuan më herët se gjyqtari Beqir Kalludra shpërndau në rrjete sociale disa thënie të njerëzve të ndryshën të njohur, ku ishte e përgfshirë edhe një thënie e Hitlerit.

Në gjykimin e kate deputetëve për lotsjellësin në Kuvend, Albin Kurti arsyetoi veprimet e ndërmarra prej tij dhe deputetëve tjerë të opozitës para dy vjetësh.

“Vepra për të cilin akuzohemi nuk është vepër penale sepse këto veprime janë ndërmarrë si deputetë të Republikës së Kosovës, jo pse kemi të drejtë, por se kemi obligim”, tha Kurti.

Kurti tha se veprimet e deputetëve të atëhershëm të opozitës ishin të drejta.

“Se veprimi ynë ishte i drejtë, e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetues e cila e vërtetoi se ‘zajednica’ ishte në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Kurti.

Deputeti i Vetëvendosjes tregoi në gjykatë se cilat janë detyrat e një deputeti.

“Ne kishim të drejtë të mbronim kushtetutën por edhe obligim e jo vetëm liri. Këto elemente formësojnë rolin tonë si deputetë”, tha Kurti.

Ai deklaroi se “me gazin lotsjellës po e nxjerrim qeverinë nga istikamet e ‘zajednicës’”.

Kurti tha se personalisht ka qëndruar më së gjati në seancat ku është hedhur lotsjellësi.

“Askush asnjëherë nuk është alivanosur nga gazi lotsjellës. Unë kam qëndruar më së gjati në sallë kur është hedhur gazi lotsjellës”, tha Kurti.

Të dëmtuara të këtij procesi janë Blerta Deliu e Flora Brovina që më herët në gjykatë treguan vështirësitë që kishin nga lotsjellësi.

Kurti tha se me veprimet e veta opozita nuk ka dashur ta lëndojë askënd.

“Ne nuk kemi dashur ta lëndojmë askënd dhe as që kemi synuar të lëndojmë dikë psiqikisht apo fizikisht”, tha Kurti.

Ai foli edhe për kallëzimin penal që i ka bërë policisë kur u arrestua më 28 nëntor 2015.

“Kam bërë kallëzim penal për kidnapimin tim nga Policët e Kosovës por që prokuroria asnjëherë nuk ka ndërmarrë veprime për të ndjekur këtë rast”, tha Kurti.

Prokurori Valdet gashi tha sot se është vërtetuar që Kurti ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet, por deputeti i Vetëvendosjes në fjalën e tij mohoi se pengoi personat zyrtarë në krye të detyrës.

“Nuk ekziston asnjë dëshmi e vetme se ne kemi përdorur forcë e lëre më kanosje serioze për të penguar personat zyrtarë (deputetët) për të kryer detyrën zyrtare”, tha Kurti.

Hedije Ademi avokatja e caktuar sipas detyrës zyrtare për mbrojtje të Kurtit, tha se prokuroria nuk ka vërtetuar pretendimet në aktakuzë.

“Prokuroria nuk e vërtetoi saktë kush e ka ndezur gazin, cili ishte motivi dhe se a ishin këto veprime demokratike apo jo”, tha avokatja Ademi.

Ajo kontestoi edhe dëshmitarët e këtij procesi.

“Dëshmitarët janë kundërshtarë politikë dhe nuk mund të konstatojmë që kanë qenë të paanshëm edhe pse kanë qenë dëshmitarë okularë”, tha avokatja.

Ajo kërkoi që Albin Kurtit t’i hiqet masa e paraburgimit.

Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi e Albulena Haxhiu akuzohen për përdorim të armës, ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Ndërsa Faton Topalli vetëm për veprën e dytë penale.