Kurti: Delawie nuk më ka kërkuar të bëhemi pjesë e dialogut me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në konferencën e sotme ka folur edhe për takimin e djeshëm me ambasadorin amerikan Greg Delawie.

Kurti mohoi se ambasadori i ka kërkuar që Vetëvendosje të jetë pjesë e dialogut të ri final që pritet të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi.

I pyetur nga KALLXO.com, Kurti tha se ambasadori ka theksuar që Kosova është shtet që duhet të merr vendimet nga institucionet.

“Jo, nuk ka kërkuar të jemi pjesë e dialogut. Takimi me ambasadorin amerikan ka qenë shumë i mirë, ai nuk imponon mendimet e veta, qëndrimet i thotë hapur dhe publikisht. Ai e theksoi që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, që ndihmohet e mbështetet nga SHBA-ja, e që do duhej që vendimet e qëndrimet të merren nga institucionet dhe qytetarët e vendit tonë”, tha Kurti gjatë konferencës për media.

Ai tutje tha që SHBA po e respekton Kosovën më shumë se sa Hashim Thaçi.

“SHBA-të po e respektojnë pavarësinë e shtetit tonë dhe institucionet demokratike shumë më tepër sesa presidenti që kemi”, tha tutje Kurti

Kurti në mes tjerash deklaroi se kanë diskutuar shumë më shumë për luftën kundër krimit e korrupsionit, për punësim e zhvillim ekonomik sesa për dialogun me Serbinë.

Albin Kurti mbrëmë publikoi një fotografi nga takimi me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie.