Kurti: 232 Plumba u Shkrepën më 10 Shkurt 2007

Gjatë fjalës së tij para homazheve për Mon Balajn e Arben Xheladinin, kryetari i vetëvendosjes Albin Kurti kujtoi ditën e 10 shkurtit 2007, kur në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje kundër propozimit të Martti Ahtisaarit, u vranë Balaj e Xheladini dhe u plagosën shumë protestues.

Kurti tha se edhe dita e protestës ishte e shtunë.

“Sikurse sot edhe më 10 shkurt të vitit 2007 Ishte ditë e shtunë. Sikurse sot, edhe më 10 shkurt 2007 moti ishte i vranët e me ngapak shi”, tha Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes pastaj foli për dallimet mes kësaj të shtune dhe asaj të vitit 2007

“Për dallim prej sot, më 10 shkurt 2007, policia na e preu rrugën këtu në Sheshin Nënë Tereza. Për dallim prej sot, më 10 shkurt 2007 policia e UNMIK-ut ishte këtu me armatim të rëndë. Për dsallim prej sot, më 10 shkurt 2007 U ndërhy brutalisht kundër protestuesve paqësorë”, tha Kurti.

Ai më pas deklaroi se në gjokset dhe kokat e protestuesve u shkrepën atë ditë 232 plumba gome.

Kurti tha se plumbat ishin me afat të skaduar prej 10 vjetësh.

“Edhe vetë Departamenti Drejtësisë i UNMIK-ut pat thënë që vrasjet më 10 shkurt 2007 nuk ishin të nevojshme dhe kanë qenë të evitueshme.

Më 10 shkurt 2007 në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kundër propozimit gjithëpërfshirës për marrëveshjen për statusin e Kosovës të bërë nga diplomati finlandez Martti Ahtisaari qenë vrarë Mon Balaj e Arben Xheladini.

Balaj e Xheladini, por edhe shumë persona tjerë atëherë ishin qëlluar me plumba gome nga policët rumunë të UNMIK-ut.

Ekspertët në atë kohë kishin thënë se kur qëllohet me plumba gome, armët duhet mbajtur me tytë në drejtim të tokës, ndërsa me këta plumba nuk duhej qëlluar në pjesën e sipërme të trupit të protestuesve.

Por shumë nga të lënduarit u qëlluan me plumba gome në pjesën e sipërme të trupit dhe në kokë.