Ismajl Kurteshi - Foto: Facebook

Kurteshi: Problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë të shumta

Në Kuvendin e Kosovës, sot do të diskutohet për situatën e Luginës së Preshevës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi u dha deputetëve informata në lidhje me një vizitë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e cila ishte në qershor të këtij viti.

“Gjatë vizitës së gjashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për Arsim me 5-6 qershor në Medvegjë e Bujanoc jemi informuar për së afërmi për sfidat që po përballen mbi 55 mijë shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës. Deputetët që e kanë vizituar Luginën edhe në vitin 2015 kanë vërejtur se kushtet e qytetarëve të Luginës janë përkeqësuar në krahasim me katër vite më parë. Gjatë vizitës është konstatuar se me programet e tyre aktuale shkollore nuk ruhet kultura tradita dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve. Edukimi i mirëfilltë i komunitetit shqiptar të Luginës së Preshevës po pengohet nga institucionet e Serbisë”, tha Kurteshi.

Ai shtoi se ka probleme edhe në institucione ku ka shumë pak shqiptar të punësuar.

Numri i nxënësve në përgjithësi është zvogëluar, problemi i teksteve shkollore nuk është zgjidhur, të diplomuarit në Kosovës bredhin rrugëve të Luginës për shkak të mosnjohjes së diplomave nga ana e Serbisë. Bibliotekat e Luginës janë shumë të varfra nevojë emergjente e shkollave në Luginë është sigurimi i së paku nga një teksti shkollor për çdo lëndë shkollore për shkollat fillore dhe të mesme. Gjatë vizitës kemi mësuar se këshilli është reduktuar nga 29 në 15 anëtarë dhe buxheti i tyre është zvogëluar për 40%, nxënësit në mungesë të teksteve shkollore kryesisht mësojnë nga shënimet. Në spital regjional të Vranjës  ku punojnë 600 punëtorë e ku 40% të pacientëve janë shqiptar është i punësuar vetëm një shqiptar. Në Ministrinë e Arsimit punon vetëm një shqiptar ndërsa në kadastër nuk ka asnjë punëtor”, shtoi Kurteshi.

Kurteshi tha edhe se po jepen gjoba për persona të cilët përdorin simbolet kombëtare.

“Në komunën e Medvegjës nga 87 të punësuar vetëm 3 janë shqiptar, në Preshevë është mbyllur Gjykata Themelore në Medvegjë është mbyllur dega e Fakultetit Ekonomik, në Luginë janë rrit gjobat ndaj atyre që përdorin simbole kombëtare. Në takim është kërkuar që të respektohet referendumi i shqiptarëve, çështja e luginës të bëhet pjesë e pandashme në dialogun me Serbinë”, tha ai.

Tutje sipas tij Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të u ndihmojnë shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Kolegë të nderuar nëse institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë nuk fillojnë me i përkrah politikisht dhe financiarisht përmes projekteve shqiptarët e Luginës ata do të detyrohet të largohen nga vendet e tyre për shkak të politikës diskriminuese të Serbisë. Prandaj duhet ta dinë edhe Kosova edhe Shqipëria që nga fjalët të kalojnë në vepra”, tha ai.