Kurdët e Irakut votojnë sot në referendumin për pavarësi – Foto: Rtv21

Kurdët e Irakut Votojnë Sot në Referendumin për Pavarësi

Votuesit në rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut votojnë sot në referendumin për pavarësi, pavarësisht kërcënimeve nga Bagdadi se do të luftojë për të ruajtur unitetin e vendit.

Presidenti i Qeverisë Rajonale të Kurdistanit, Masud Barzani, tha se votimi është hapi i parë në një proces të gjatë për negocimin e pavarësisë së rajonit, i cili ka qenë autonom qysh në vitin 1991 dhe ka luajtur rol të madh në luftën kundër ekstremistëve islamikë.

“Referendumi nuk është tërheqje kufijsh. Nuk është për të vënë status-quo në asnjë zonë. Pas referendumit, ne jemi të gatshëm të nisim procesin e një dialogu të thellë me Bagdadin”, tha Barzani.

Mbi 5.3 milionë njerëz janë të regjistruar si votues në rajon.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore kanë shprehur shqetësime se referendumi do ta zbehë luftën kundër grupit militant Shteti Islamik dhe se do të çojë në trazira në zonat e diskutueshme.

Referedumi po ashtu kundërshtohet nga Turqia dhe Irani, që vetë kanë pakica të mëdha kurde.

Liderët kurdë të Irakut kanë thënë se referendumi do të zhvillohet në tri provinca që zyrtarisht përbëjnë rajonin gjysmë-autonom kurd: Dahuk, Irbil dhe Sulaimania, si dhe në disa zona fqinje.

Këto zona përfshijnë qytetet Kirkuk, Makhmour, Khanakin dhe Sinjar, ku forcat kurde Peshmerga kanë marrë kontrollin pasi i kanë dëbuar militantët e Shtetit Islamik./21Media