Qytetarët e Shkupit ankohen se janë ngritur çmimet e produkteve që përdoren për festë - Foto: Rtv21

Kurban Bajrami Afrohet, Çmimet Rriten

Na ndajnë disa ditë nga festa e Kurban Bajramit, e megjithatë atmosfera e saj ka nisur të ndihet në Shkup.

Çmimet e produkteve ushqimore e kryesisht atyre që përdoren për festa, vazhdojnë të konsiderohen të larta.

Qytetarët thonë se kanë nisur të ndihet rritja e çmimeve e sidomos e arrave për bakllava.

“Në Bit Pazar njëjte janë çmimet, diku tjetër nuk e di por këtu në Pazar çmimet janë më të ulëta. Normal ndryshon diçka që duhet për shembull arrat e disa gjëra tjera që përdoren për festa janë më të shtrenjta”, tha Galip Alili, qytetar, shkruan TV21.tv.

“Çmimet janë të ngritura, sepse të gjithë myslimanët në botë i rrisin çmimet në prag të festës. Në Zvicër për hir të festës së kurban bajramit i kanë zbritur çmimet e këtu i kanë ngritur, edhe ne Kosovë edhe këtu, gjithandej ku ka myslimanë është njëjtë. I kanë ngritur çmimet e produkteve ushqimore, e kanë shtrenjtuar ekzistencën”, tha Shkelzen Mici, qytetar.

E përkundër qytetarëve që thonë se çmimet e disa produkteve janë rritur, tregtarët thonë se çmimet nuk kanë ndryshuar, ata vazhdojnë të jenë të njëjta si ditët e mërparshme.

“Shitja dobët është, nuk është si duhet. Çmimet janë të njëjta, kush nuk ka blerë mendon që çmimet janë rritur, për shembull arrat tanimë gati 3 muaj janë 700 denarë. Edhe pse është festë shumë pak ka lëvizje, nuk kanë njerëzit para, është krizë e madhe, momentalisht është dobët”, tha Ekrem Maliqi, shitës.

“Çmimet janë të njëjta sikur më herët, nuk ka asnjë dallim. Mall kemi shumë por rritje të shitjes dhe njerëz ka sikur më herët nuk ka ndonjë dallim të madh si për bajram të blejnë. Çmimet janë të njëjta nuk ka ndonjë dallim si para bajramit ashtu edhe pas Bajramit”, tha Nazmi Murati, shitës.

Edhe katër ditë na ndajnë nga festa e Kurban Bajramit, e cila do të jetë ditë jopune për besimtarët e konfesionit mysliman, ndërsa pritet të shihet se a do të ketë rritje çmimesh deri në ditën e festës. /21Media