Kur Agim Bahtiri akuzonte Veselin e Thaçin

Edhe pse mbrëmë është parë në një tavolinë me zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim  Bahtiri, jo rrallëherë ka bërë akuza për po të njëjtit.

Kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kishte vizituar Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, Bahtiri e kishte akuzuar për ndarje të Mitrovicës.

Bahtiri e kishte quajtur injorant Veselin në lidhje me deklaratën e tij, i cili kishte thënë se nuk ka ndarje të Mitrovicës.

“Kadri Veseli paska dalur këndej pari nga Mitrovica, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, e në vend se të e shikoj emrin e ndritur të Komandantit e të frymëzohet për të bërë vepra të mira dhe të largohet nga injoranca, ky paska zgjedhur të tregohet injorant përsëri. Dua t’i them kryetarit të Kuvendit, se jug dhe veri nuk ka pasur Mitrovica por ju e bëtë të jetë e tillë, këtë e them sepse sot paskit deklaruar që Kosova nuk ka veri dhe jug, ajo është një”, kishte shkruar Bahtiri në postimin e tij në facebook.

Bahtiri madje kishte thënë për Veselin se largimin nga Mitrovica ishte gjëja më e shtrenjtë që ai i kishte dhuruar Mitrovicës.

“Ju paskit dal në qytetin tuaj, aty ku je lindur e je rritur, e më mbeti merak të ju takoj për t’iu treguar se qytetarët e Mitrovicës ndihen shumë mirë që nga viti 2013 kur ju ikët nga Komuna si Parti Demokratike dhe kjo ishte gjëja më e shtrenjtë që i’a dhuruat Mitrovicës, andaj ju falënderoi në emër të qytetareve për këtë mirësi”, kishte shkruar Bahtiri.

Ky nuk është rasti i vetëm kur Bahtiri ka kundërshtuar dhe akuzuar PDK-në dhe zyrtarët e saj.

Bahtiri kishte mbështetur edhe protestën e mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje me 27 shtator kundër presidentit Hashim Thaçi.

Bahtiri  gjatë një takimi që kishte pasur me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte ftuar qytetarët e Komunës së Mitrovicës që të merrnin pjesë në protestën e VV-së kundër Thaçit.

Bahtiri në lidhje me situatën e vështirë politike, e kishte akuzuar presidentin dhe veprimet e tij të gabuara, me të cilin dje ishte shoqëruar në një darkë.

“Kosova po kalon nëpër një situatë të vështirë politike, që ka ardhur si pasojë e veprimeve të gabuara të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka nisur bisedimet për shkëmbime territoriale me Serbinë në kundërshtim me detyrat e tij dhe pa mandat nga Kuvendi i Kosovës”, kishte shkruar Bahtiri në postimin e tij në facebook.

Akuzat që i kishte bërë zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Bahtirit nuk i kanë penguar që mbrëmë të shoqërohej në një darkë me po të njëjtit.

Në një fotografi të postuar nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, shihet presidenti i vendit Hashim Thaci, dhe anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, si Sami Lushtaku, Hajredin Kuçi, Bedri Hamza, Enver Hoxhaj e shumë të tjerë, të cilëve i është bashkangjitur edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

“Sonte edhe Agimi” ishte mbishkrimi i fotografisë së postuar mbrëmë nga kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci.

https://kallxo.com/agim-bahtiri-ne-sofren-e-kadri-veselit/