Kuorumi, Dështon Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme

Mbledhja e rregullt e Komisionit për Punë të Jashtme, në të cilën do të shqyrtohej raporti vjetor i punës për vitin 2015 dhe Plani i punës për 2016 ka dështuar në mungesë të kuorumit.

Kryesuesi i këtij Komisioni, Enver Hoxhaj, propozoi që Plani i punës për vitin 2016 të bëhet me dëgjim publik. “Pasi sot nuk po mundemi ta mbajmë mbledhjen e rregullt të Komisionit për mungesë kuorumi, propozimi im është që Planin e punës për vitin 2016 ta hartojmë me dëgjim publik, duke e ftuar Zyrën e Presidencës, ministritë e linjave, komunat, OJQ-të dhe mediat, që edhe ata të japin propozimet e tyre për hartimin e këtij Plani” tha Hoxhaj.

Anëtari tjetër, Elmi Reçica, potencoi se Plani i punës i Komisionit për Punë të Jashtme nuk u realizua në tërësi për arsye të zhvillimeve në Kuvend. “Komisioni ka kryer një pjesë të punëve, por Plani i punës për vitin 2015 nuk u realizua në tërësi për shkak zhvillimeve të fundit në Kuvend” tha Reçica

Pas mbledhjes, Komisioni priti në takim Jason Steinbaum, këshilltar i anëtarit të Kongresit Amerikan, Eliot Engel.

Enver Hoxhaj tha se takimi kishte karakter bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, bashkëpunim që sipas tij do të vazhdojë edhe në të ardhmen.