Mustafa duke pranuar raportin e komisionit | Foto: KALLXO.com

Kundërshtuesit e Demarkacionit Mustafa i Quan Pallavraxhinj

Në një postim në Facebook, Kryeministri Mustafa i quajti kundërshtuesit e vijës së përcaktuar kufitare me Malin e Zi “pallavragji dhe zhurmagji”.

“Me çfarë të drejte disa pallavragji dhe zhurmagji, që argumentin më të madh e kanë të qesin me dorë dhe të shkundin letra të pavlera po na maltretojnë në emër të shkencës dhe ekspertëve të pavarur (nga përgjegjësia e tyre)”, shkroi Mustafa.

Ai në postimin e tij lavdëroi kreun e Komisionit për Matjen e Territorit-akademikun Hivzi Islami që vetë e emëroi në këtë pozitë.

“U ndjeva i nderuar që një akademik si Hivzi Islami, njeri që i ka dhënë shumë shkencës së Kosovës dhe shumë kuadro këtij vendi, drejtoi punën e një ekipe profesionale e cila i ofroi faktet e fundit Kosovës për territorin e saj”, shkroi Mustafa.

Kryeministri përsëriti edhe njëherë se Kosova nuk ka humbur territor nga marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi që u nënshkrua në Vjenë më 26 gusht 2015.

“Kosova nuk ka humbur territor në shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Qytetarët e Kosovës duhet të lëvizin lirshëm në vendet e Shengenit. Askush nuk ka të drejtë të pengoj këto procese as për interesa politike e as materiale”, shkroi Mustafa.

Dje në të njëjtën kohë në ambiente të ndryshme në Prishtinë mbajtën konferenca për gazetarë anëtarët e Komisionit për Matjen e Territorit dhe ekspertët e pavarur që kundërshtojnë vijën e përcaktuar kufitare me Malin e Zi.

http://kallxo.com/qela-demarkimi-serbine-nuk-ndryshon-kilometrat/

http://kallxo.com/ekspertet-insistojne-ne-rishikim-te-marreveshjes-per-demarkacion/

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është njëri nga dy kushtet e mbetura për lëvizjen pa viza të kosovarëve në Zonën Shengen.

Marrëveshja e demarkacionit po kundërshtohet edhe nga opozita, por edhe prej disa deputetëve të partive në pushtet.

Marrëveshja qe dërguar në Kuvend më 1 shtator të vitit të kaluar, por ishte tërhequr pa u votuar nga Kryeministri Mustafa.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/