Kundërshtohet shkrirja e KPMM-së në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka kundërshtuar shkrirjen e kësaj agjencie në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës.

Kryesuesi i Bordit të  KPMM-së, Musa Shabani tha se ligji që tashmë është në diskutim parasheh shkrirjen e KPMM-së në SHGjK.

“Projektligjin që e kemi marrë nga MAP, bie në kundërshtim me standardet minerare dhe shkel parimet e miratuara në Kuvend. Mosnjohja e funksionimit minerar nga hartuesi i këtij projektligji e prek edhe Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, i cili duhet të jetë i veçantë. Ligji për agjencitë e pavarura e parashikon që agjencitë që kanë mbi 50 punëtorë nuk lejohet të defunksionalizohen. Këtë ligj e kundërshtojmë plotësisht sepse bie në kundërshtim të plotë”, tha ai.

Skender Sallahu drejtor i Departamentit të minierave në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, tha se duhet të shihen disa çështje që prekin kontrollin dhe licencimin në sektorin minerar.

“Ndryshimet duhet të jenë në kuadër të racionalizimit. Ne nuk ishim të njoftuar për ta dhënë mendimin profesional. Janë shumë çështje që duhet të trajtohen në draft dokument. Kontrolli dhe licencimi mandej mund të jenë konflikt interesi. KPMM duhet të jetë institucion më vete”, deklaroi Sallahu.

Në anën tjetër, profesori Shyqeri Kelmendi tha se ata që kanë punuar në ligjin e ri nuk e njohin mirë sektorin minerar.

“Sektori minerar është shumë i ndjeshëm ndaj korrupsionit. Në të gjitha vendet e botës ky sektor është në dy shtylla – sektori gjeologjik dhe minerar. Nëse situata ka ardhur deri aty ne duhet të jemi të ashpër nuk duhet assesi të lejojmë një inkorporim të tillë. Ata qe kanë punuar në ketë ligj nuk e njohin sa duhet sektorin”, theksoi Kelmendi.

Ndërsa, kritik ishte edhe Ahmet Tmava, ish- drejtor i ‘Trepçës’. Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk i mori asnjëherë parasysh kërkesat e KPMM-së.

Ky diskutim u organizua nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mbi projekt ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizmin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura.

Siç njoftoi për media KPMM, nga ky diskutim dolën dhjetë rekomandime.

Ndryshe, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura është propozuar nga Ministria e Administratës Publike.