Kundërshtohet dokumenti i ZRrE-së që parasheh rritje të çmimit të energjisë

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF) kundërshtojnë dokumentin “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit” nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në këtë reagim thuhet se kjo iniciativë është në kundërshtim me rolin kushtetues që ka Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në kundërshtim me ligjet vendore dhe evropiane dhe synon të legjitimojë kontratën për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Me datë 6 shkurt, ZRrE ka vënë në diskutim publik dokumentin “Vendosja e Obligimit të Shërbimit Publik për Siguri të Furnizimit”.

“Përmes tij, ZRrE synon që të shtyej përpara ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” duke vënë barrën financiare drejtëpërdrejtë në shpinën e konsumatorëve. Në një akt të pashembullt, ZRrE ka vendosur të vë “taksë për siguri të furnizimit” e cila do të paguhet nga të gjithë furnitorët e licencuar tek Ndërmarrja e Re (NKEC)”, thuhet në reagimin e INDEP.

Në reagim thuhet se këtë taksë do ta paguajnë qytetarët e Kosovës përmes çmimeve të dyfishuara të energjisë elektrike. Sipas INDEP, ZRrE nuk ka asnjë mandat për të gjetur modalitete për të akomoduar kontrata të dëmshme që Qeveria e Kosovës nënshkruan.

“Si një institucion që nuk i subordinohet Qeverisë së Kosovës, ZRrE ka në mandatin e saj ruajtjen e interesit publik përmes garantimit të funksionimit të një tregu të konkurrencës së lirë duke vënë bazat për një treg të integruar rajonal. Të gjitha këto shkelen nëse ZRrE vendos të vëhet në shërbim të një kontrate skandaloze e në kundërshtim të plotë me frymën e pakos së tretë të legjislacionit evropian në fushën e energjisë”, vazhdon reagimi.

Më tej thuhet se siguria e furnizimit është e drejtë që nuk duhet taksuar qytetarëve të Kosovës. Po ashtu në këtë reagim potencohet se energjia elektrike është produkt bazë dhe ofrimi i saj për qytetarët nuk duhet kushtëzuar me taksë për të kompensuar profitin e një ndërmarrje.

“Projektimi i sigurisë së furnizimit duke u bazuar në një kontratë izoluese për Kosovën nuk garanton asgjë tjetër pos çmime të papërballueshme dhe thellim të varfërisë energjetike për qytetarët e Kosovës”, shkruhet në reagimin e INDEP.

Sipas INDEP, siguria e furnizimit është dashur të garantohej me privatizimin e rrjetit të distribucionit.

“Në arsyetimin e privatizimit, Qeveria e Kosovës kishte përmendur dhjetra herë se privatizimi i rrjetit të distribucionit ishte i domosdoshëm për garantimin e sigurisë së furnizimit. Tani, me këtë dokument, ZRRE po shpallë se për siguri të furnizimit qytetarët duhet të paguajnë edhe njëherë nga gjepi i tyre miliarda euro”, thuhet në reagim.

INDEP dhe BGF i bëjnë thirrje Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të mos e miratojnë këtë dokument.

Për më tepër, ata kanë ftuar Kuvendin e Kosovës, respektivisht Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të thërras një dëgjim të menjëhershëm për të diskutuar mbi këtë situatë.