Burim Berisha, LDK,Fushë Kosovë. Foto: Atdhe Mulla

Kundërshtohet deponia e mbeturinave në Harilaq të Fushë-Kosovës

Banorët e Harilaqit dhe fshatrave përreth në Fushë Kosovë po ankohen lidhur me vendimin për deponi të mbeturinave në këtë fshat.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me 29 maj kishte marrë vendim për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave tërrezikshme në Kosovë.

“Lejohet lokacioni për magazinimin e mbeturinave dhe materialeve të rrezikshme në Komunën e Fushë– Kosovës, Komuna Kadastrale Harilaq me parcelat kadastrale në pronësi tëAgjencisë Pyjore të Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Por këtë vendim të Qeverisë po e kundërshojnë banorët e Harilaqit dhe fshatrave përreth.

Pesë muaj pas vendimit të Qeverisë, Komuna e Fushë Kosovës ka dërguar një kërkesë për rishqyrtimin e vendimit “Caktimi i lokacionit për ndërrimin e objektit për ruajtjen e përkohshme tëmbeturinave të rrezikshme”.

Me 10 tetor, kryetari i Komunës së Fushë– Kosovës, Burim Berisha në një kërkesë drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj ka njoftuar se Komuna e Fushë– Kosovës ka ndërprerë punimet në këtë lokacion për arsye të pakënaqësisë dhe refuzimit që i bëjnë bizneset që veprojnë në atë zonë .

“ Aty afër është një zonë turistike Kalaja e Harilaçit, mu aty do të ndërtohet Stadiumi Kombëtar, ka indikacione se në atë zonëkalon rrugë e vjetër “Nish- Lezh”, që do të kalonte nëpër Ulpianë dhe nëpër territorin e Komunës sonë dhe shumëinstitucione të tjera”, thuhet në kërkesën e Berishës drejtuar Haradinajt.

Tutje, në kërkesë thuhet se ky objekt për të cilin Komuna ka thënë se nuk është e informuar, nuk e ka vendin në këtë zonë.

“Komuna vlerëson se ky objekt për të cilin nuk dimë asgjë nuk e ka vendin në këtë zonë, sepse nëse janë materie të rrezikshme nuk mund të varrosen në zemër të Kosovës , dhe do ta kundërshtojmë më të gjitha mjetet”, thuhet në kërkesën e Komunës.

Komuna ka kërkuar që ky objekt të zhvendoset në zona shumë më të përshtatshme në Kosovë që janë të pabanuara.

Vendimin e Qeverisë po e kundërshtojnë edhe banorët e asaj zone, të cilët kanë filluar një peticion për këtë vendim.

“Ftojmë në përkrahje edhe Institutin e Shëndetit Publik, shoqatat ambientaliste, Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, shoqatat e mjekëve kundër kancerit, që të reagojmë, të sensibilizojmë banorët për rrezikun dhe ta prapësojmë këtë kanosje qe po na behet jo vetëm fshatrave ku prek ky projekt kriminal por edhe me gjerë sa ka efekt helmimi nga kjo deponi”, thuhet në kërkesën e banorëve.

Ata kanë paralajmëruar edhe protesta për këtë kundërshtim.

“Këshilli i banorëve do të bëhet, në mbështetje, mediat do të informohen për aktivitetet e protestës dhe ftohen të luajnë rolin e tyre në sensibilizimin e ndjeshmërisë së këtij projekti”, thuhet në peticionin e qytetarëve.