Kundërshtohet Aktakuza në Rastin 'Badovci'
Mbrojtja e pesë të akuzuarve në rastin e njohur si “Badovci” ka kundërshtuar aktakuzën ndaj klientëve të tyre por Gjykata menjëherë ka hedhur poshtë pretendimet e avokatëve.
Në seancën e sotme në të cilën në bankën e të akuzuarve u ulën të pandehurit Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi, janë paraqitur kundërshtimet e mbrojtjes ndaj aktakuzës.
Këto kundërshtime, avokatët i paraqitën në formë të shkruar.
Këta pesë persona u arrestuan në mëngjesin e 11 korrikut nga Policia e Kosovës në afërsi të Liqenit të Badovcit nën dyshimet për përgatitje të sulmeve terroriste.
http://kallxo.com/zbardhet-plani-i-te-arrestuarve-te-isis-te-liqeni-i-badovcit/
Aktakuza i ngarkon të pesë akuzuarit se në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit afër Prishtinës me qëllim që të incizojnë një video propaganduese në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS.
Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojnë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit Shtetit Islamik në Republikën e Kosovës, thuhet në aktakuzë.
http://kallxo.com/hetimet-per-rastin-e-liqenit-te-badovcit-drejt-fundit/
Për ta realizuar videon, sipas aktakuzës, të pandehurit ishin pajisur me një kallashnikov dhe pesë karikatorë, uniforma ushtarake, maska si dhe një flamur të organizatës ISIS.
Kur u arrestuan pesë të akuzuarit u ngritën dyshime se ata kishin për qëllim helmimin e ujit të këtij liqeni, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm një pjesë e banorëve të Prishtinës.
Pastaj Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” ndërpreu furnizimin me ujë nga ky liqen, derisa Instituti i Shëndetit Publik i bëri analizat e ujit.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale në asnjë vend nuk përmendet se te të akuzuarit është gjetur helm, ose se ata kishin për qëllim helmimin e ujit.
Avokatët mbrojtës sot i kanë elaboruar kundërshtimet e tyre dhe iu qëndruar besnikë kundërshtimeve të bëra me shkrim. Edhe të akuzuarit i mbështetën kundërshtimet e avokatëve.
Prokurorja e rastit i kundërshtoi propozimet dhe kundërshtimet e avokatëve për hedhjen e aktakuzës ndërsa gjyqtarja mori aktvendim që kundërshtimet e avokatëve të hidhen poshtë.
Avokatët u pajtuan që të mos nxirret vendim me shkrim nga gjyqtarja për hedhjen poshtë të kundërshtimeve të tyre por gjykata të caktojë shqyrtimin gjyqësor.
Pas seancës për KALLXO.com, avokati Blerim Qela, mbrojtës i Fehmi Musës tha se ka kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij të ndërpritet masa e paraburgimit për shkak të gjendjes shëndetësore.
“Për të mbrojturin tim kam kërkuar që t’i ndërpritet kjo masë për shkak se gjendja shëndetësore është e rëndë vuan nga një sëmundje e veshkave dhe vazhdimisht merr infuzione dhe medikamente për t’i ndalur këto dhimbje. Gjyqtarja, me propozimin e prokurores, ka vendosur që të marrë një raport mjekësor nga Burgu Sigurisë së Lartë dhe të shohim më pastaj nëse do të ia ndërpret këtë masë të paraburgimit”, tha avokati Qela.
http://kallxo.com/ekskluzive-intervista-e-plote-me-fehmi-musen-i-arrestuar-per-badovcin/