Avokati: Aktakuza Hakmarrje ndaj Ferdije Zhushit

“Kjo që po i bëhet të mbrojturës sime është një hakmarrje, sepse Ferdia për dikë ka qenë pengesë, pasi që ne kemi gjetur që disa zyrtarë policorë si Ahmet Nuredini dhe Riza Shillova kanë punuar edhe në polici, edhe si profesorë në Kolegjin ‘ISP’,” tha Kollçaku.

Edhe e akuzuara Ferdije Zhushi tha se aktakuza është një hakmarrje për shkak të mosakreditimit të kolegjit “ISP” dhe e tëra sipas saj ka filluar me fushatë mediale.

Ferdije Zhushi akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Bashkë me Zhushin që ishte zyrtare në Agjencinë e Akreditimit, po akuzohet për të njëjtat vepra kolegu i saj nga kjo agjenci Basri Muja, ndërsa ish-punonjësi i UNDP-së Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje, e Naim Braha për dhënie të ryshfetit.

Armend Muja në fjalën e tij kundërshtuese në gjykatë, tha se te rasti i tij prokurori ka marrë parasysh vetëm provat fajësuese e jo ato shfajësuese.

“Unë jam ngarkuar me vepra penale të paprecizuara. Te rasti im është shkelur parimi i prezumimit të fajësisë,” tha Muja

Muja thotë se veprat penale që i ngarkohen janë vjetërsuar.

“Sa u përket veprave penale me të cilat akuzohem, ato e kanë kaluar afatin e parashkrimit. Unë nuk kam qenë person zyrtar, por kam kryer veprime intelektuale,” tha Muja.

Muja tha më tutje se kolegji “Universum”, akreditimi i të cilit është pjesë e shkresave të lëndës, i ka mbetur borxh.

“Unë nuk jam kryes i veprës penale, mua kolegji ‘Universum’ më ka mbetur borxh 4 mijë e 850 euro,” tha Muja.

Prokurori i rastit në fjalën e tij tha se kërkesat e mbrojtësve dhe të akuzuarve për hedhje poshtë të aktakuzës janë të pabazuara dhe nga gjykata kërkoi që kundërshtimet e avokatëve të mos merren parasysh nga gjykata dhe aktakuza të vërtetohet.

Pas seancës Gëzim Kollçaku, avokati i Ferdije Zhushit tha se aktakuza është e pabazuar.

“E kundërshtuam aktakuzën dhe kërkuam që kjo të hedhet si e pabazuar dhe të pushojnë të gjitha procedurat ndaj të pandehurës Ferdie Zhushi,” tha Kollçaku.

Edhe Ramë Gashi, avokati i Armend Mujës tha të njëjtën gjë.

“Po ne sot në seancën e dytë në mënyrë verbale apo gojore i paraqitëm kundërshtimet tona si mbrojtje dhe paraqitem po ashtu edhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës,” tha Gashi.

Ai bëri të ditur se gjykata duhet t’i analizojë mirë kundërshtimet e avokatëve.

“Ne presim që gjykata t’i analizojë me kujdes kundërshtimet tona dhe si rezultat i kësaj presim që vendimi të thotë që aktakuza të hidhet,” deklaroi Gashi

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të këtij viti, pas ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës të UNDP-së u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar.