Pamje nga seanca e gjykimit Bajram Pajazitit dhe Bajram Azemit, zyrtarë të MPMS-së - Foto: KALLXO.com

Kundërshtohet Aktakuza e Korrupsionit me Pensionet e Familjeve të Dëshmorëve

Avokatët e Bajram Pajazitit dhe Bajram Azemit, dy zyrtarëve të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale që akuzohen për shpërdorim detyre, në seancën e sotme kundërshtuan aktakuzën ndaj të mbrojturve të tyre.

Valon Hasani, avokati i Bajram Azemit që akuzohet si  kryesues i Divizionit për Familjet e Dëshmorëve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se i mbrojturi i tij e kreu detyrën duke u bazuar në ligj.

” Kjo çështje ka të bëjë me pensionin e Rexhep Haxhës në Departamentin për Familje të Dëshmorëve-Invalidëve të Luftës. Në këtë kohë ka qenë në  fuqi ende ligji 02L-2 i cili ka rregulluar këtë materie dhe ka paraparë që cilët persona  kanë të drejtë në  këtë  pension dhe ky ligj është ende në fuqi. Për ta fituar këta status, është dashur që  aplikuesi të jetë  në posedim të një dokumenti të lëshuar nga TMK-ja dhe kur ka aplikuar Rexhep Haxha për  këtë pension nuk ka pasur TMK,” tha avokati Hasani.

Prokuroria pretendon se Bajram Azemi në vitin 2009 nxori një vendim me të cilin Rexhep Haxhës ia njohu të drejtën e pensionit të familjes së dëshmorit për djalin e tij Bahri Haxha që sipas prokurorisë ishte viktimë civile e luftës.

Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve… parashikon që për t’ia njohur një familjeje statusin e pensionit të dëshmorit, duhet të ketë një dokument të lëshuar nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, formacioni kosovar që u shpërbë në janar të vitit 2009, duke hapur rrugën për krijimin e FSK-së.

Avokati Hasani tha se të akuzuarit Bajram Azemi e Bajram Pajaziti e kanë vërtetuar me dokumente tjera se Rexhep Haxhës duhet t’i takojë pensioni i familjes së dëshmorit.

“Në mungesë të TMK-së këta  dy te pandehur kanë bërë interpretimin e kësaj dispoziteje ligjore në atë mënyrë që me dokumente tjera qe janë parashtru nga aplikuesi është vërtetuar se ka të drejtë në këtë pension dhe asnjëri nga këta të pandehur  kurrë se kanë njohur Rexhep Haxhën  dhe s’kanë pasur ndonjë kontakt me të,” tha Hasani.

Avokati Hasani më tutje në seancë tha se çdo interpretim i gabuar i ligjit nuk paraqet vepër penale.

” Duhet  ta kemi te qartë se jo çdo interpretim i gabuar i ligjit paraqet vepër penale, andaj në  mungese të provave dhe indikacionit se ky interpretim është bërë qëllimisht  që të dëmtohet buxheti apo të përfitojë aplikuesi,  atëherë në mungesë të  elementit subjektiv gjegjësisht dashjes, gjykata duhet të konstatojë se nuk ka dyshim të bazuar dhe të refuzojë akuzën,” tha Hasani.

Prokuroria akuzon Bajram Azemin e Bajram Pajazitin se duke i dhënë pension të familjes së dëshmorit Rexhep Haxhës e dëmtuan buxhetin e shtetit në vlerën e 13 mijë e 900 eurove.

Aktakuzën përveç avokatit Valon Hasani, e kundërshtoi edhe Bejtush isufi që në këtë proces mbron Bajram Pajazitin.

Bajram Pajaziti që akuzohet në cilësinë e drejtorit të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, është vëllai i dëshmorit Zahir Pajaziti.

Para se avokatët të paraqisnin kundërshtimet, gjyqtari Shasivar Hoti tha se ka pranuar një kërkesë për mbyllje të seancës nga mbrojtja, por të cilën e kundërshtoi prokurorja Dulina Hamiti dhe kjo u refuzua nga Hoti.

Bajram Azemi e Bajram Pajaziti në nëntor të vitit të kaluar u deklaruan të pafajshëm.

http://kallxo.com/nis-gjyqi-per-dallaveret-pensionet-e-familjeve-te-deshmoreve/