Kundërshtarët e Demarkacionit të Kontrollohen te Mjeku

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një postim të sotëm në profilin e tij në “Facebook” ka thënë se sivjet e kemi shansin e madh që të fitojmë të drejtën për të dalë nga izolimi dhe për të udhëtuar pa viza në vendet e BE-së.

Ai ka theksuar se “është e paarsyeshme që opozita të këmbëngulë për ta uzurpuar një të drejtë themelore të qytetarëve”, para se të vargojë përfitimet e qytetarëve, bizneseve e të sëmurëve nga liberalizimi.

“Të konstruktosh një të pavërtetë të madhe, se Kosova po humb 8200 hektarë, pa e dhënë edhe asnjë fakt se ku janë ata hektarë që Kosova i ka pasur me rastin e shpalljes së pavarësisë e tani po i humb, vetëm për t’i bllokuar proceset e integrimeve është një grusht i madh që po i epet vendit tonë”, ka shkruar shefi i Qeverisë.

Sipas tij, ne duhet t’i besojmë Komisionit shtetëror, Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Komisionit ndërkombëtar të themeluar nga Presidentja Jahjaga, duhet t’u besojmë akteve mbi të cilat u shpall pavarësia.

“Opozita duhet të lirohet nga kompleksi që liberalizimin e vizave dhe proceset më të rëndësishme integruese po i drejton një koalicion shtetformues, sepse me metoda të dhunës, gazit lotsjellës, mollotovit nuk mund të llogarisin se do të vijnë në pushtet dhe se ata do të jenë autorët e liberalizimit të vizave”, ka thënë Mustafa.

Në këtë postim, kryeministri ka sulmuar edhe “ekspertët-profesorët”, të cilët sipas tij thonë se dokumentet e serbëve janë më të sakta se ato të shqiptarëve.

“Vështirë se mund të na bindin se kjo është e vërtetë. Po të ishte e vërtetë kjo, Kosova do ta kishte ndjerë veten më mirë dhe më sigurt me Serbinë sesa e pavarur. Para se të japin të tilla deklarata, ata meritojnë të kontrollohen te mjeku, qoftë në sektorin publik apo privat. Këto shërbime ua ofron shteti”, ka shkruar ai.

“Kur futesh në kurthin e kauzave të rrejshme politike dhe dëshiron që ato kauza t’i argumentosh “shkencërisht”, atëherë shkencës i hyn fort në hak. Soji i këtyre “shkencëtarëve-profesorëve” dhe i atyre që kanë blerë prona me pak pare atje ku dëshirojnë ta çojnë kufirin dhe të pamundësojnë lëvizjen e lirë për ata që nuk kanë para të shëtitën me jahte por kanë nevojë të shijojnë liritë themelore që u takojnë, nuk meriton përkrahje”, ka thënë Isa Mustafa.

“Kuvendarët tanë marrin vendime me mendje racionale. Ata mund të jenë emocional, por nuk duhet të mashtrohen nga diletantët dhe profiterët”, përfundon kryeministri postimin e tij.