Foto: RFE/Reuters

Kundërajrorët e Sirisë Rrëzojnë një Aeroplan të Izraelit

Ushtria e Izraelit ka njoftuar se një aeroplan i saj luftarak i tipit F-16, është qëlluar dhe rrëzuar nga zjarri i forcave të Sirisë, pasi i kishe sulmuar “bazat iraniane” në këtë vend, në shenjë të hakmarrjes për një fluturake pa ekuipazh, që kishte kaluar në territorin irzaelit.

Ushtria izraeite tha sot herët në mëngjes se aeroplani F-16 është rrëzuar në pjesën veriore të Izraelit. Dy anëtarë të ekuipazhit janë shpëtuar dhe janë dërguar në spital në gjendje stabile.

Faqja izraelite e lajmeve, Ynet, e ka cituar ushtrinë që ka thënë se njëri prej pilotëve, i cili ishte ejektuar nga aeroplani, ishte plagosur seriozisht.

“Zjarr masiv sirian kundërajror, një aeroplan F-16 është rrëzuar në Izrael, pilotët janë të sigurt”, ka shkruar në rrjetin Twitter, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricus.

Mediat shtetërore të Sirisë e kanë cituar një zyrtar të paemëruar ushtarak, i cili ka thënë se mbrojtja ajrore siriane ka hapur zjarr në pëgjigje të një akti izraelit të “agresionit” kundër një baze ushtarake.

Ky ishte incidenti më serioz në të cilin janë përfshirë Izraeli, Irani dhe Siria, prej fillimit të luftës civile në Siri, para gati shtatë viteve.