Kultura e përdorimit të gjuhës së rrezikshme në komente

Një varg i mediave në Kosovë nuk ndalojnë dhe editojnë komentet fyese e të  urrejtjes në rrjetet e tyre sociale.

Mungesa e standardit të editimit të gjuhës që prodhon dhunë në mediat e Kosovës  u ka dhënë mundësi një shtrese të paedukuar të shoqërisë që të përdorin këtë hapësirë për ti shpërndarë mesazhet e tyre të urrejtjes

Për njerëzit e kulturës dhe aktivistë të shoqërisë civile, kultura e komenteve me përmbajtje urrejtëse shpërfaqë nivelin e ultë kulturor të komentuesve por edhe atyre që janë të thirrur për ti edituar koment.

Reperët janë ata që më së shumti etiketohen si pararendës të komenteve me përmbajtje urrejtëse, për shkak së gjuhës pa barriera që përdorin në këngët e tyre.

Reperi Arian Agushi është i mendimit se zhanri që shkruajnë dhe e këndojnë reperët, ka një natyrë të tillë. Ai thotë se repi i kohërave më të hershme ka qenë shumë më real se ai i ditëve të sotit.

“Sot (repi) është komercializuar aq tepër sidomos tek ne sa që ka raste kur dy repera bëjnë duet e nuk e duan njëri tjetrin. Kur është fama primare për disa pak rëndësi ka fytyra”, ka thënë ai.

Për studiuesin Bujar Meholli është e frikshme të shohësh vrundujt e negativitetit dhe urrejtjes që shpërfaqen në këto komente nga njerëz të paverifikuar e profile false, ku nuk ngelet kush pa u sulmuar, ofenduar, përçmuar, tallur, paragjykuar e kërcënuar.

“Rrjedhimisht shtrohet pyetja, çfarë demokracie është kjo, ku askush nuk i jep askujt llogari për arsenalin urrejtës që e zbraz kundrejt tjetrit. Lëre pastaj niveli tepër i ulët i komenteve që të hasin sytë: në masë të madhe mungesë e mendimit kritik, përgatitjes, drejtshkrimit e përmbajtjes”, thotë Meholli.

Komente të tilla, shton ai janë  prirje drejt margjinalizimit kolektiv ku nuk kursehet askush e asgjë; mbjelljet frikë e pasigurie për të folur, për t’u shfaqur dhe vepruar.

Sipas tij, ndaj këtyre komentuesve duhet ndihet dora e ligjit, për të grantuar lirinë e mendimit.

Studiuesi Avni Rudaku ka analizuar gjuhën e përdorur në komente ai është i mendimit se kultura e komentuesve tregon për një nivel të dobët të arsimimit dhe edukimit.

Sipas tij, komentet më shumë se për subjektet që fyhen, bëhen për komentuesit e tjerë, dhe se komentuesit nuk janë të vetëdijshëm për pasojat ligjore që mund t’i kenë.

Rudaku thotë se shumë prej komentuesve janë të izoluar e të vetmuar dhe duan të krijojnë vëmendje duke hedhur komente koti.

“Disa kanë komplekse inferioriteti dhe fanatizmi patriarkal, homofobik, ekstremizmi i djathtë, fundamentalizmi fetar, konservatorizmi etj., i bëjnë të ndjehen me përkatësi dhe identitet, në një epokë globale dhe të krizës së komuniteteve tradicionale si familja, fisi, religjioni, lagjja”, ka pohuar ai, për KALLXO.com.

“Komentet bëhen shpesh edhe nevojë për të nxitur skrinshota viralë, pasi që sa e sa grupi e përdoruesi individual, qeshet me screenshot-at e ‘komenteve epike’. Komentet tash bëhen edhe për shaka virale”, ka shtuar Rudaku.

Ai thotë se edhe frustrimi i madh në familje, punë, shoqëri e shtet, si dhe izolimi i gjatë, ka rritur gjasat për komente urrejtëse.

Komente me gjuhë të urrejtjes u panë edhe gjatë zhvillimit të Paradës së Krenarisë, javë më parë në Prishtinë.  Ato shpërfaqën një disponim goxha ekstrem që ekziston në shoqërinë Kosovare ndaj komunitetit LGBTI.

Blert Morina nga organizata “CEL Kosova” është i mendimit se komentet fyese dhe kultura e urrejtjes që përdoret në publik ndaj personave LGBTI, ka ndikim të madh në sfera të ndryshme, duke përfshirë integritetin e tyre, mirëqenien, sigurinë fizike si dhe shëndetin mendor.

Ky fenomen, thotë Morina është mjaft i përhapur në shoqërinë kosovare dhe është faktori kyç i sulmeve potenciale qoftë fizike apo edhe verbale.

“Pasojat e këtyre sulmeve shpesh herë ndikojnë negativisht në mirëqenien e personave LGBTI, duke vështirësuar integrimin në shoqëri dhe zhvillimin personal dhe profesional”, ka potencuar ai.

Sipas tij, në programin e organizatës “CEL për një kohë të gjatë është punuar në monitorimin e këtyre komenteve në rrjete sociale, e sidomos të atyre në media.

“Mirëpo, për të pasur një zgjidhje afatgjate dhe të menjëhershme, zgjidhja më efikase do të ishte implementimi i ligjit kundër diskriminimit dhe ai i përdorimit të gjuhës së urrejtjes apo ngacmimit,” ka thënë Morina.

Ai thotëse pa u implementuar ligji, ndalimi i këtij fenomeni do të jetë shumë i vështirë, dhe se në këtë rast, institucionet duhet të reagojnë në përputhje me ligjin e Republikës së Kosovës.

Regjisori Avni Abazi thotë se kultura e urrejtjes që shpërfaq përmes komenteve të ndryshme në rrjete sociale është pasojë e zhvillimeve socio-kulturore që ka kaluara shoqëria kosovare.

“Komentuesit shpërfaqin nivelin e ulë kulturor, përplot urrejtje e banalitete, ndërsa synim kryesor kanë të ndërhyjnë në jetën e tjetrit, ta ulin, nënçmojnë dhe fyejnë”, ka thënë Abazi.

Ndërkaq, Ilir Muharremi, kritik arti, është shprehur për KALLXO.com se gjuha që përdorin komentuesit tregon për mugës kulture dhe personaliteti të tyre.

“Nëse i analizojmë komentet, gjejmë urrejtje nga më të ndryshmet, që nga ajo personale deri tek racore e ndaj grupimeve të ndryshme shoqërore. Ende kultivojmë si shoqëri agresivitet dhe urrejtje të pa arsyeshme”, thotë kritiku Muharremi.