Kultura e Mosndëshkimit të Korrupsionit

Në një konferencë të organizuar nga ky grup u tha se në Kosovë është krijuar kulturë e mosndëshkimit të korrupsionit, pikërisht në kohën kur qeveritarët po proklamojnë se luftimi i kësaj dukurie është prioritet.

Albana Rexha, prezantuese e shënimit të politikave në GLPS tha se nga  Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar po konfiskohet pak pasuri.

“Nga shuma e përgjithshme e pasurisë në menaxhim të agjencisë vetëm rreth 4 për qind është e konfiskuar do të thotë është konfiskuar në mënyrë permanente nga autoritetet kompetente. Shuma e përgjithshme e pasurisë së konfiskuar është më e ulët në krahasim me pasurinë e kthyer,” tha ajo.

Zëvendësambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Louise Taylor tha se shteti i saj e dëshiron një Kosovë ku paraja publike shpenzohet përgjegjshëm.

“Qeveria Britanike është e interesuar që Kosova të bëhet shtet stabil kur institucionet janë përgjegjëse për menaxhimin e  parasë publike. Një Kosovë stabile do të tërheq investime të huaja,” tha ajo.

Ajo ua kujtoi të pranishmëve edhe skandalin e shpenzimeve të Parlamentit në Britani ku disa deputetë dhanë dorëheqje, disa u shkarkuan, e u ndoqën penalisht. Ky skandal u zbulua në vitin 2009, ndërsa lidhej me shpenzimet e deputetëve gjatë viteve të kaluara.

Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë tha se ligji nuk u ndihmon organeve të ndjekjes në konfiskimin e pasurisë.

“Korniza ligjore nuk i jep mundësi organit të ndjekjes që të pyet dikë prej nga kjo pasuri,” tha ai.

Sipas Ibrahimit duhet të krijohet një kornizë ligjore që u mundëson organeve të ndjekjes të kërkojnë llogari për prejardhjen e pasurisë.

Shqipdon Fazliu, koordinator kombëtar për luftimin e krimit ekonomik tha se prokurorët anglezë janë duke bashkëpunuar ngushtë me Zyrën e Koordinatorit Kombëtar në këtë drejtim për të pasur ndryshime në luftimin e korrupsionit.

Grupi për Studime Politike dhe Juridike konstatoi se përfitimet nga konfiskimi i pasurisë së paligjshme janë shumë të ulëta.

Ky grup publikoi disa rekomandime për prokurorinë dhe gjykatat dhe agjencinë që menaxhon pasurinë e konfiskuar.

Këshilli Prokurorial duhet të miratojë strategji dhe plan të veprimit lidhur me konfiskimin e pasurisë që ka burim veprat penale lidhur me korrupsionin.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të miratojë një politikë që të shqyrtojë performancën dhe qëndrimin profesional të gjykatësve sa u përket vendimeve mbi kërkesat për sekuestrim dhe konfiskim.

Policia, Dogana dhe Administrata Tatimore duhet të trajnohen për të vlerësuar më mirë kur ngrihen raste të sekuestrimit dhe konfiskimit në kontekst të funksionit të tyre hetues.

Ministria e Drejtësisë duhet të sigurohet që korniza ligjore nuk e pengon përdorimin dhe shitjen efektive të pasurisë së konfiskuar duke përfshirë përdorimin e tyre potencial nga institucionet qeveritare në rastet e automjeteve apo ndërtesave.

Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar duhet të mbajë të dhëna të ndara që i korrespondojnë llojeve të ndryshme të veprave penale. Duke pasur parasysh këtë do të ishte në dispozicion një pasqyrë më e qartë e rezultateve të arritura.

GLPS-ja rekomandoi edhe buxhet të mjaftueshëm për gjyqësorin dhe prokurorinë duke kërkuar përmbajtje nga ndërhyrja politike në emërimin dhe shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve, respektimin e vendimeve gjyqësore dhe zbatimin e duhur të tyre. [interaction id=”56e96120703e265d1848f05b”]