Kulla e Sylejman Vokshit në mesin e luftës politike në Gjakovë

Vendimi që hapësira rreth Kullës së Sylejman Vokshit në Gjakovë të mos konsiderohet zonë me interes publik ka nxitur shpërthimin e akuzave ndërmjet pozitës dhe opozitës atje.

Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, kishte hyrë në listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme më datën 10 tetor 2017.

Kulla gjendet në vendin e quajtur “Mejtepi Ruzhdije”, në hyrjen e Çarshisë së Vjetër.

Objekti është ndërtuar në fillim të shekullit të 18-të.

Në këtë kullë ka lindur Sylejman Vokshi, i cili  ka qenë delegat i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe kryesues i komisionit të financave. Pikërisht nga Kulla e tij kishte nisur aksioni i parë i armatosur i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Komuna e Gjakovës , që në atë kohë kryetare ishte Mimoza Kusari-Lila,  me 27 tetor të vitit 2015, kishte marrë vendim për Shpallje të Interesit Publik të Monumentit kulturor dhe historik “Kulla e Sylejman Vokshit”.

Këtu përfshiheshin edhe parcelat për rreth kullës, dhe ishte shpallë me qëllim të ruajtjes, përcaktimit të sipërfaqes, mbrojtjes, zhvillimit dhe menaxhimit të monumentit dhe zonës për rreth.

“Komuna e Gjakovës do të vazhdojë më tutje me procedurat e shpronësimit të këtyre pronave për interes publik”, thuhej në vendim.

E pikërisht kjo kullë është bërë shkak për përplasje ndërmjet kryetarit Gjini dhe opozitës në këtë Komunë, e sidomos me ish kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari

Me 4 mars të këtij viti , Kuvendi Komunal me 18 vota pro, 14 kundër dhe asnjë abstenim, kishte miratuar propozimin për ndryshim të vendimit të vitit 2015, për shpallje të interesit publik të zonës rreth Kullës së Sylejman Vokshit.

Ish kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, për KALLXO.COM, ka thënë se vetëm një objekt për rreth Kullës ka leje ndërtimi, ndërsa 4 objektet e tjera nuk kanë leje.

“Në kohën sa kam qenë unë Kryetare, nuk janë dhënë leje për katër objekte në afërsi të Kullës, por është dhënë vetëm një leje për një objekt, për tokën në të cilën gjendet ky objekt, kemi tentuar shpalljen e interesit publik, por të njejtat parti të cilat e mbështetën tani heqjen e interesit të veçantë për pronat rreth kullës, nuk e mbështetën iniciativën tonë. Plani rregullativ i cili i parasheh këto objekte ka kaluar në Asamble në Gjakovë në vitin 2005, pastaj e ka pasur një revidim në vitin 2008 dhe një intervenim tjetër në vitin 2009. Të gjitha nën administrimin e AAK-së. Dmth, unë kam tentuar ndaliminin e këtij objekti që tani ka leje, por nuk ka pasur mbështetje në asamble. Votat që kam pasë kanë qenë në mbështetje të propozimit tim ishin, Alternativa Per 6 vota, LDK 2 vota, VV abstenim, AAK, PDK, PSHDK kundër me ç’rast e mbivotuan këtë propozim”, ka thënë Kusari-Lila.

Në anën tjetër, kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini, ka akuzuar Kusari-Lilën, se vendimi për shpalljen e interesit publik të Kullës së Sylejman Vokshit dhe zonave për rreth, kanë të bëjnë vetëm me të.

“Vetëm objekti 5 është shpronësuar nga vendimi i administratës së kaluar. Prona ngjitur me atë të shpronësuar është e babait të Mimoza Kusari-Lila. Objekti 4 parashihet të ndërtohet në truallin e babait të Mimozës. Kjo punë lidhje nuk ka me të tjerët përpos me vet ish kryetaren”, ka thënë Gjini për KALLXO.COM.

Kurse kryetarja e Alternatives, i ka mohuar akuzat e Gjinit, duke thënë se nëse do të ishte interesi i saj për ndërtim, do të ndërtonte në kohën sa ishte kryetare e Gjakovës.

“Këto deklarata i konsideroj si shpifje dhe mbulim të krimit që e ka nisur shumë vite më parë AAK-ja dhe po e vazhdon me kthimin e tyre në krye të Komunës së Gjakovës. Arsyetimi se është objekti i familjes Kusari në pyetje nuk qëndron, pasi trualli i familjes Kusari është jashtë rrezes së mbrojtjes së Kullës si dhe po të ishte interesi im ai objekt, ai do të ishte ndërtuar në kohën sa kam qenë kryetare. Pse për katër vite sa kam qenë kryetare nuk ndërtova, nëse e kam pasur interesin në objekt të familjes së babait dhe axhëve të mi”, ka thënë Kusari-Lila.

Ministria e Kulturës, që është direkt kompetente për ruajtjen e trashëgimisë dhe monumenteve kulturore e historike, ka thënë se deri më tani nuk ka pranuar asnjë kërkesë apo projekt për shqyrtim, në lidhje më Kullën e Sylejman Vokshit.

“Ministria e Kultures, Rinisë dhe Sportit bazuar në mandatin e saj dhe Ligjin për Trashëgimi Kulturore, konfirmon se do ti përmbahet të gjitha dispozitave të cilat rregullojnë hapësirën për rreth një monumenti arkitektural, ne këtë rast të Kullës së Sylejman Vokshit e cila ka status të mbrojtjes së përkohshme. MKRS dhe institucionet kompetente të saj, jemi të obliguar t’i përmbahemi dispozitave  të poshtëshënuar, kurse deri më tani Institucioni kompetent në këtë rast Instituti i Kosoves për Mbrojtje te Monumenteve nuk ka pranuar ndonjë kërkesë apo  projekt për shqyrtim”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për KALLXO.COM.

Komuna e Gjakovës premton se Kulla do të restaurohet dhe do të shndërrohet në muze unik.

Sentona Macula, zyrtare për informim në këtë Komunë , ka thënë se me ndryshimin e vendimit, do të shpronësohet kulla dhe oborri i saj, ndërsa parcelat tjera nuk do të shpronësohen.

“Pagesat e shpronësimit të Kullës dhe oborrit të Kullës do të bëhen nga buxheti i Komunës, dhe janë të buxhetuara. Me ndryshimin e vendimit, parcelat që hiqen nga shpronësimi e lirojnë buxhetin nga 700 mijë deri në 1 milion euro”, ka thënë Macula në përgjigjen e saj.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe organizata “Ec ma Ndryshe”, ku i ka bërë thirrje institucioneve që të ndalohet degradimi i objekteve të trashëgimisë kulturore.

“EC Ma Ndryshe i bën thirrje institucioneve që të ndalojnë së kontribuari në degradimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe zhdukjen e vlerave të tyre. Institucionet janë përgjegjëse për zhvillimin dhe mbrojtjen e këtyre vlerave dhe çdo hap i tyre që bie në kundërshtim me këto obligime është shkelje e madhe ndaj të cilave duhet të kërkohet reagim dhe përgjegjësi. Poashtu institucionet qendrore e lokale duhet të gjejnë zgjidhje adekuate për Kullën në mënyrë që të restaurohet e jetë në shërbim të komunitetit dhe turizmit kulturor”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Pas ndryshimit të vendimit, tash sipas Komunës së Gjakovës, do të shpronësohen vetëm kulla dhe oborri i saj, duke mbetur hapësira për ndërtimin e objekteve shumëkatëshe për rreth Kullës.