Kulinaria Ilire, Kryefjala e ‘ETNOFEST’-it
Në një ambient fshati në Kukaj të Prishtinës të mërkurën nis edicioni i 6-të i festivalit të artit dhe kulturës tradicionale “ETNOFEST”.
Në këtë edicion, festivali do e ketë temë kryesore artin e të gatuarit ilir.
Sipas agjendës, për katër ditë do të ketë aktivitete të ndryshme kulturore, të cilat synojnë promovimin e artit dhe kulturës tradicionale.
“Festivali përfshin një gamë të gjerë programore, prej programeve të etnokulturës, traditës së hershme, koncerteve, riteve të ndryshme, bisedave të odës, promovimeve të librave…”, ka thënë drejtori i festivalit, Fadil Hysaj.
Ndër risitë e festivalit të sivjetmë veçohet promovimi i 15 vëllimeve të Eposit të Kreshnikëve, të cilat sipas Hysajt janë vlera e parë e cila do duhej të mbrohej nga UNESCO në Kosovë.
Gjatë festivalit, kuzhinieri Ahmet Dursun do jetë i angazhuar për të gatuar ushqime ilire.
“Periudha e kulinarisë ilire i ka trajtuar burimet natyrore dhe ato i kanë gatuar më së miri. E gjithë historia dëshmon që në Ballkan, sidomos në trevat shqiptare, gjatë gjithë historisë së saj nuk ka vdekur njeri urie”, ka thënë Dursun.
“Më e rëndësishmja – përdorimi i madh i barishteve, që ishin pasuria më e madhe në kuzhinën ilire”, theksoi Dursun.
Nga veçoritë e tjera të kuzhinës ilire sipas Dursun është përdorimi i mjaltit në vend të kripës.
E drejtori i festivalit, regjisori Fadil Hysaj, ka ankesa në mënyrën se si Ministria e Kulturës ofron fonde për organizime të tilla.
“Na kanë futë në disa kërkesa për disa letra, do rregullore të reja që i kanë ba, që duhet për 10 euro me bo kontrata të veçanta, ni mal me letra kërkohen për ato donacione që na ofrohen”, tha ai.
Hysaj që një kohë ka qenë këshilltar i ish kryeministrit Hashim Thaçi thotë se shoqëria e Kosovës ka degraduar në kuptimin kulturor në të gjitha planet. Për këtë ai fajin ua lë politikanëve.
“Faji i ni shoqnie satrapësh, kriminelësh e injorantësh që kanë ardhë në pushtet për me pasunu vetveten e nuk i ka interesu asgjë për këtë popull”, tha Fadil Hysaj.
Regjisori që Kukajn e sheh si oazë në këtë shkretëtirë kulturore, shprehet që festivalin nuk e vizitojnë politikanët, por e vizitojnë fëmijët e tyre.
“ETNOFEST” parashihej të zgjaste pesë ditë por pas dy shtyrjeve programi u modifikua në katër ditë (14-17 shtator).