Kujtohet Asamblisti Gent Olloni

Akademia u organizua nga Komuna e Gjakovës nën patronatin e kryetares Mimoza Kusari-Lila.

Para një viti i ndjeri Olloni kishte pësuar infarkt (atak kardiak) gjatë mbledhjes së Asamblesë Komunale në Gjakovë, ndërsa më pas kishte vdekur në emergjencën e spitalit të këtij qyteti.

Në fjalën e saj në këtë akademi, kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila e ka kujtuar Gent Ollonin si njërin prej njerëzve dhe bashkëpunëtorëve të saj të palodhshëm.

“Genti ishte njëri prej atyre që gjithmonë ishte i gatshëm të jepte nga vetja, por asnjëherë të kërkonte diçka për veten e tij. Ne, miqtë, bashkëpunëtorët dhe familjarët e tij duhet të jemi krenarë për një njeri të tillë. Duhet të jemi krenarë që e patëm dhe ta kujtojmë gjithmonë ashtu siç ishte,” tha Kusari – Lila.

Në emër të kolegëve të tij të Asamblesë Komunale foli këshilltari Hasan Krasniqi, ndërsa të pranishmëve iu drejtua edhe vajza e ish-asamblistit Enxhi Olloni.

Në këtë akademi gjithashtu u shfaq edhe një film i shkurtër në të cilin bashkëpunëtorët dhe miqtë e Gentit folën për përvojat jetësore me të ndjerin.

Para se të mbahej akademia u zhvilluan homazhe dhe u vendosën kurora me lule edhe te varri i ish-asamblistit.

KALLXO.com shkroi vjet për vdekjen e papritur të Gent Ollonit.

http://kallxo.com/kreu-i-akr-se-ngushellon-familjen-e-asamblistit-olloni/