Kujtim Shala: Janë bërë një sërë shkeljesh sot në Kuvend

Kuvendi i Kosovës, ka kaluar nga seanca e jashtëzakonshme në të rregulltën, por për ecurinë e punë së Kuvendit janë bërë akuza për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.

Nënkryetari i Kuvendit,  nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala tha se sot Kuvendi ka bërë një sërë shkeljesh.

“Kuvendi nuk ka pranuar ta trajtojë si urgjente atë që e ka pa të tillë kryeministri, kështu që seanca nuk është dashur të vazhdojë . Nëse debatohet i bie që seanca po zhvillon punime dhe nuk mund të mbyllet pa vendimmarrje. Seanca nuk mund të mbyllet ashtu si e mbylli kryetari i Kuvendit, por duhet te ndërpritet dhe të mbetet e hapur, pasi nuk ka pasur votim”, tha Shala.

Sipas tij, gjithashtu pa njoftim zyrtar paraprak ndaj deputetëve nuk mund të nis seanca e re e Kuvendit.

Kurse, në replikë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se, kryeministri mund të thërret për çfarëdo çështje seancë të jashtëzakonshme.

“Mocioni ka kaluar me 2.3 e votave. Pse është mbyll, nuk lejoj të bëhen gabime që janë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Kur jemi në seancë është e vetëkuptueshme që deputetët duhet të jenë aty kjo është vetëm vazhdim seancë – seancë. Vazhdojmë me pjesën e votimit të platformës”, tha ai.