Foto: Atdhe Mulla

Kujtim Shala e Glauk Konjufca, Polemikë për Rrëzimin e Qeverisë Mustafa

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, i është përgjigjur shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në kërkesën e këtij të fundit që deputetët e LDK-së të mos e mbështesin marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Kur doli në foltore, Konjufca ftoi deputetët e LDK-së të votojnë kundër demarkacionit pasi tha se ka qenë mosvotimi i kësaj marrëveshjeje ajo që e shtyri PDK-në ta votojë mocionin e mosbesimit të qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa në maj të vitit të kaluar.

“Une e çmoj këtë komunikim ndërmjet subjekteve politike, sidomos kur është i kësaj natyre, e kur komunikimi është i qetë e normal kërkojmë argumente”, tha Shala.

“Dua t’i them shefit të grupit parlamentar të VV-së se atë ditë edhe ju, të gjithë keni qenë bashkë kundër LDK-së. E dyta, keni parasysh që ne do të ratifikojmë një projektligj që ratifikon marrëveshjen e gushtit 2015, dhe këtë e solli kryeministri e qeveria, pse? Ngase s’ka tjetër marrëveshje, kjo është marrëveshja dhe kjo është e vetme. Tani, LDK nuk kundërshton asnjë fakt tjetër të ri, nëse ne arrijmë të ratifikojmë marrëveshjen, ne do ta mbështesim qeverinë në gjetjen e fakteve të reja”, tha Kujtim Shala.

Por Konjufca e mori fjalën sërish për ta arsyetuar votën e VV-së në favor të mocionit të majit të vitit të kaluar.

“Ne u gjëtëm para një momenti që me votën tonë me rrëzu qeverinë Mustafa. Ku ka kënaqësi ma të madhe? Ajo ka qenë sikur penalltia në futboll”, tha Glauk Konjufca.