Kuçi: Me Shefin e EULEX-it e Sqarova Keqkuptimin

Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, ka thënë për KALLXO.com se e ka sqaruar me shefin e EULEX-it situatën e krijuar pas deklaratave të tij në emisionin “Republika”, në “Tribuna Channel”, rreth gjykimit të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Kuçi, i cili ndodhej në Maqedoni, përmes telefonit i ka thënë KALLXO.com se gjithçka e ka sqaruar me shefin e EULEX-it dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë sikurse deri më tani.

“Unë kam biseduar me shefin e EULEX-it në telefon dhe e kam sqaruar. Është një keqkuptim. Ne e respektojmë edhe pavarësinë e gjyqësorit edhe fjalën e lirë në Kosovë. Unë, pra, kam biseduar në telefon me shefin e EULEX-it dhe takimet dhe bashkëpunimi do të vazhdojnë sikurse kanë qenë përpara”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqi.

Ndryshe, EULEX-i njoftoi sot për anulimin e një takimi të Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit, pjesë e të cilit do të ishte edhe ministri i Drejtësisë, pas deklaratave të këtij të fundit në një emision televiziv në lidhje me gjykimin ndaj kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut.

Hajredin Kuçi, duke folur si jurist e jo si ministër i Drejtësisë, ka thënë se ky rast gjyqësor është “bukur absurd”.

http://kallxo.com/deklarata-e-kucit-anulon-nje-takim-te-eulex-it/