Pamje nga tryeza e organizmave të drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Kuçi: Ligjet i Kemi të Mira

Koordinimi i mekanizmave të drejtësisë është thelbësor për fuqizimin e sundimit të ligjit në vend u tha në një tryezë në të cilën morën pjesë zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, Institutit Gjyqësor e të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, shprehu admirimin e tij për punën që kanë bërë institucionet e drejtësisë në fushën e integrimeve evropiane.

“Më lejoni të shpreh admirimin tim për punën që kanë bërë institucionet e drejtësisë në fushën e integrimeve evropiane. Nuk ka raport viteve të fundit që nuk shprehet pozitivisht për ligjet e Kosovës”, theksoi Kuçi.

Sipas ministrit të Drejtësisë, koordinimi është puna kryesore për një sukses të mirë.

“Koordinimi është puna kryesore për një sukses të mirë”, tha ai.

Ndërsa Idain Smaili nga Këshilli Prokurorial tha se UNDP-ja i ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme institucionit që përfaqësonte në plotësimin e kuadrit ligjor.

“Mbështetja e UNDP-së ka qenë një ndihmë jashtëzakonisht e madhe duke pasur parasysh faktin që Këshilli Prokurorial i Kosovës ka arritur që brenda vitit të plotësojë kuadrin ligjor me akte nënligjore të cilat kanë qenë obligim nga ndryshimet e reja ligjore të ligjeve bazike të sistemit prokurorial”, tha Smaili.

Ndërsa, Agim Maliqi, anëtar i Këshillit Gjyqësor, tha se ky mekanizëm është tejet i rëndësishëm për efikasitetin e drejtësisë në Kosovë.

“Duhet të theksoj që fryma në mes KGJK-së dhe Ministrisë së Drejtësisë tani është edhe e fuqizuar me rastin e gjyqtarëve dhe qëllimi ka qenë që gjithmonë të kemi ligje sa më të mira dhe të krijojmë një sistem sa më ë besueshëm”, tha ai.

Në këtë tryezë është diskutuar edhe për administratën gjyqësore. Ministri Kuçi tha se po punohet që Kosova të ketë një administratë të modelit të një shteti anëtar të BE-së.

“Kemi menduar që administratën gjyqësore në këtë rast edhe për të prokurorisë jo vetëm që i kemi larguar nga Ministria e Drejtësisë por ta bëjmë një trajtim krejt ndryshe prej shërbyesve civilë dhe do të përkrahi një mbështetje të tillë, dhe zgjedhja të bëhet me një model nga shtetet anëtare të BE-së”, tha Kuçi.