Pamje nga takimi për Kodin Civil - Foto: Ministria e Drejtësisë
Kuçi: Kodi Civil Kërkon Edhe Pak Kohë
Krijimi i Kodit Civil të Kosovës do të marrë edhe pak kohë, ka thënë sot ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në takimin që shënonte përmbylljen e projektit të BE-së “Përkrahja për Kodin Civil dhe të drejtat pronësore”.
Ministri Kuçi tha se gjatë të gjitha takimeve që janë mbajtur që Kosova të ketë një Kod Civil është krijuar një “brumë” i mirë për hartimin e tij, por se duhet edhe pak kohë që ky Kod të hyjë në funksion.
“Të gjithë ne e kemi ditur se hartimi i Kodit Civil kërkon kohë, kërkon ekspertizë dhe njëkohësisht është një proces. Unë besoj se Komisioni qeveritar e ka bërë punën e vet bashkërisht edhe me ekspertët e tjerë dhe kanë bashkëdyzuar këtë punë. Tani duhet të kalojmë në një fazë tjetër, që unë do ta quaja konkretizimi i normave juridike për Kodin Civil”, tha ministri.
Kuçi shtoi se gjatë draftimit të Kodit Civil duhet kujdes në trajtimin sa më të mirë të çështjeve civile me standardet më të larta të Unionit Evropian.
“Unë jam i kujdesshëm që të mos bëjmë ligje të cilat janë vetëm futuriste e të cilat nuk do të jenë të implementueshme në vendin tonë. Por, po ashtu jam i kujdesshëm që duhet të lëvizim pak prej traditës. Kur them traditës nuk e kam ndërmend traditën e para viteve 1999, por e kam ndërmend edhe traditën tonë pak edhe si vend, si popull, por edhe si ambient, në veçanti kur kemi të bëjmë me çështjet pronësore”, shtoi ministri.
Victor Chimienti, udhëheqës i ekipit nga organizata GIZ, tha se hartimi i Kodit Civil është proces kompleks.
“Kodifikimi i një Kodi Civil modern bashkëkohor në harmoni me praktikat më të mira dhe standardet e BE-së është një prej synimeve kryesore të projektit. Pas dy viteve sfiduese të implementimit, falë bashkëpunimit të frytshëm drafti i parë është përfunduar dhe përbëhet nga katër kapituj”, tha Chimienti.
Ai shtoi se sistemi kosovar i të drejtës civile është përafruar me standardet evropiane dhe paraqet një të arritur të madhe.
“Rruga drejt Kodit Civil në Kosovë është edhe më tutje e gjatë dhe plot sfida, por besoj se themelet janë të forta dhe të shëndosha dhe vazhdimi i mbështetjes nga BE-ja është i garantuar”, tha ai.
Në emër të Zyrës së BE-së, Tomas Njoki, tha se miratimi i Kodit Civil të Kosovës do të përmirësojë gjendjen e grave, duke theksuar parimin se gratë duhet të trajtohen të barabarta.
“Kodi Civil do te përmirësojë të drejtën e grave në Kosovë. Ai u garanton atyre kërkimin e të drejtës në pronën që u takon. Po ashtu, ky Kod mbron edhe të drejtat e fëmijëve. Ata që punojnë nën moshën 18-vjeçare. Pra ky kod në të ardhmen duhet të jetë i zbatueshëm në Kosovë. Në veçanti kjo u siguron atyre të drejtat për të trashëguar pronë, regjistrimin e pronës, ndarjen e barabartë të pronës bashkëshortore, e po ashtu siguron mbrojtje më të mirë të të drejtave të fëmijëve”, tha Njoki.