Vrasja e gruas dhe vajzës 9 vjeçe: Gjykata Supreme anulon dënimin me burgim të përjetëshëm për Pjetër Ndrecajn

Pjetër Ndrecaj, i dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij do të gjykohet sërish.

Pasi Ndrecajt iu dha dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit-dënim më i lartë që ekziston në Kosovë-, Gjykata Supreme vendosi ta kthejë atë në rigjykim.

Kjo pas ankesës që e kishte bërë mbrojtja e Pjetër Ndrecaj.

Sipas njoftimit, Gjykata Supreme ishte bazuar në procesverbalin e shqyrtimit fillestar gjyqësor kur është gjetur se “pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit është në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së pare”

“Kjo pasi që akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e cila kryhet në rastet kur me dashje kryhen dy apo më shumë vrasje, kurse deklarimi i tij është vetëm përkitazi me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ashtu që i akuzuari pas leximit të aktakuzës dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, kishte deklaruar se: “E pranoj fajësinë për vrasjen e ish gruas time, mirëpo vajzën e kam vra aksidentalisht”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

 

Kolegji i Gjykatës Supreme, gjeti se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjykata e shkallës së dytë, në pranimin e këtyre defekteve, në procedurën e pranimit të fajësisë, ka qenë e detyruar që aktgjykimin ta shqyrtojë dhe ta anulojë atë, e jo të kalojë mbi këtë shkelje.

Sipas gjykatës shkelja e bërë e kushtëzon mënyrën se si është cilësuar vepra penale me të cilën  akuzohej Ndrecaj.

“Mund të bëhet fjalë për vrasje të rëndë nga neni 179 par.1 nënp.1.11.të KPK-ës, vetëm nëse dy e më shumë vrasje janë kryer me dashje”, thuhet në njoftim.

Ata e kanë urdhëruar Gjykatën Themelore që të nisë nga fillimi gjykimin dhe të mos e pranojë fajësinë në rrethana të një deklarimi të ngjashëm nga ana e të akuzuarit në raport me vrasjen e vajzës së tij, por çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor…e pastaj të marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike.

https://kallxo.com/arsyet-pse-apeli-e-denoi-me-burgim-te-perjetshem-pjeter-nrecajn/