Kthehet në Rivendosje Rasti “Apex”

Apeli vendosi që ta pranojë ankesën e prokurorisë ndaj pushimit të procedurës penale në këtë rast.

Për KALLXO.com lajmin  e konfirmuan Arianit Koci, Destan Rukiqi e Besnik Berisha, avokatët e ish të akuzuarve Arben e Astrit Krasniqi dhe Avni Morina.

Destan Rukiqi, avokati i Astrit Krasniqit vendimin e Apelit e quajti skandaloz dhe një përpjekje për ta shpëtuar nga dështimi Misionin Evropian për Sundim të Ligjit.

“Kjo nuk është asgjë tjetër vetëm për të mbuluar lëshimet e prokurorit të EULEX-it, i cili nuk e ka paraqitur akuzën në afatin ligjor,” tha Rukiqi.

Rukiqi tha se vendimi i kolegjit të Apelit nuk ishte unanim, pasi sipas tij gjyqtari vendor që ishte pjesë e kolegjit votoi ndryshe nga dy gjyqtarët ndërkombëtarë që vendosën që rasti të kthehet në rivendosje.

Procedura në rastin “Apex” ishte pushuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti, pasi që gjykata kishte gjetur se akuza ishte paraqitur jashtë afatit ligjor, duke miratuar kështu kundërshtimet e avokatëve mbrojtës ndaj kësaj akuze.

http://kallxo.com/pushon-procedura-penale-ne-rastin-apex/

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzonte Arben e Astrit Krasniqin, Armend Nezirin, Mujë Berishën, Gani Zeqirin, Kushtrim Hakajn, Arsim Mulliqin, Luan Halilin, Agron Hoxhën, Ilir Morinën dhe Avni Morinën për krim të organizuar, detyrim, shtrëngim dhe posedimi të paligjshëm të armëve  dhe narkotikëve.

Arben e Astrit Krasniqi ishin pronarë të aparateve të lojërave të fatit “Apex”.

“Qëllimi i këtij grupi ishte përftimi material duke shfrytëzuar forcën dhe kërcënimet serioze për t’i detyruar bizneset apo individët tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit, apo të veprojnë sipas kushteve të pafavorshme për ta,” thuhej në aktakuzë.

Avokatët e të gjithë të akuzuarve vazhdimisht kishin kundërshtuar akuzën me pretendimin se ajo ishte ngritur jashtë afatit ligjor.