Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit të zyrtarëve të Komunës së Drenasit - Foto: KALLXO.com

Kthehet në Rigjykim Rasti i Zyrtarëve të Komunës së Drenasit

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e zyrtarëve të Komunës së Drenasit.

Pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga avokati i Hyrije Xhemajlaj- Thaçit, Gazmend Halitaj, dhe ankesës së të akuzuarit Halim Vrellaku, Gjykata e Apelit ka vendosur që ta anulojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe çështjen ta kthejë në rigjykim.

Lajmin për KALLXO.com e ka bërë të ditur mbrojtësi i Hyrije Xhemajlaj- Thaçit.

Avokati Gazmend Halitaj tha se rasti është kthyer në rigjykim vetëm sa u përket të akuzuarve Hyrije Xhemajlaj- Thaçi e Halim Vrellaku.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të siguruar nga KALLXO.com, në arsyetim thuhet se gjykatës së shkallës së parë do t’i duhet t’i mënjanojë shkeljet esenciale, lëshimet lidhur me vërtetimin dhe vlerësimin e drejtë të gjendjes faktike se cilat kanë qenë veprimet apo mosveprimet e të akuzuarve për veprën penale e cila u vihet në barrë.

Sipas këtij aktvendimi, në rigjykim Gjykata duhet t’i administrojë të gjitha provat edhe një herë për të eliminuar çdo paqartësi të cilat janë paraqitur në dispozitiv se cilat veprime nuk i kanë ndërmarrë të akuzuarit në kuadër të përgjegjësive të tyre për pengimin e mbindërtimit.

Dy zyrtarët e Komunës së Drenasit, Hyrije Xhemajlaj- Thaçi dhe Halim Vrellaku, gjatë gushtit të vitit të kaluar kishin bërë ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila i kishte dënuar ata lidhur me një mbindërtim në Drenas.

http://kallxo.com/zyrtaret-e-komunes-se-drenasit-kerkojne-pafajesine-ne-apel/

Gjykata e instancës së parë Hyrije Xhemajlaj- Thaçin e kishte dënuar me 10 muaj burgim, ndërsa Halim Vrellakut i kishte shqiptuar burgim me kusht prej 1 viti.

http://kallxo.com/denohen-zyrtaret-per-mbindertimin-ne-drenas/

Të akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe biznesmeni Izet Kukaj, të cilin Gjykata e kishte liruar nga aktakuza, si dhe Musli Ademi, banor i këtij kompleksi për të cilin prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Sipas aktakuzës, Izet Kukaj, pronari i kompanisë “Elita-A” gjatë qershorit të vitit 2013 në bllokun banesor numër V në Drenas pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme ndërtoi një kat në nënkulm me gjithsej 14 banesa që kishin sipërfaqe 1.800 metra katrorë.

Aktakuza precizonte se 13 nga këto banesa Izet Kukaj i ka shitur në shumën prej 252 mijë eurove, ndërsa njërën nga to e ka ndalur për vete.

http://kallxo.com/eksperti-e-konsideron-te-parrezikshem-mbindertimin-ne-drenas/

Sipas aktakuzës, njërën nga banesat e mbindërtimit ilegal në objektin banesor të Drenasit e bleu vëllai i të akuzuarës Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në atë kohë udhëhiqte Drejtorinë e Inspektimit.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë gjykim.