Beqiri dhe Haraqija në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Kthehet në Rigjykim Rasti i Ish-Ministrave

Në dhjetor të vitit të kaluar ish-ministrat Astrit Haraqija e Valton Beqiri u dënuan nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 10 muaj burg me kusht, producenti filmik Armond Morina me 6 muaj burg efektiv, ndërsa producenti tjetër Nehat fejza ishte shpallur i pafajshëm.

Haraqija e Beqiri akuzoheshin për shpërdorim detyre, ngase kishin mbështetur filmat “Mysafir në Sofër” dhe “Ndjekja e Larës” të producentëve filmikë Armond Morina e Nehat Fejza, edhe pse këta filma nuk kishin përfunduar asnjëherë.

Morina e Fejza akuzoheshin për mashtrim në detyrë.

Pas shpalljes së këtyre dënimeve, ankesa në Gjykatën e Apelit kishte dërguar edhe mbrojtja, e edhe prokuroria.

http://kallxo.com/denime-me-kusht-per-ish-ministrat-e-kultures/

Gjykata e Apelit këtë rast e shqyrtoi më 2 qershor.

http://kallxo.com/kallxo-360-apeli-shqyrton-ankesat-e-ish-ministrave-te-kultures/

Apeli sot me anë të një komunikate bëri të ditur vendimin e tij.

“Kolegji penal prej tre anëtarësh  ka vendosur që aktgjykimi i shkalles së parë të anulohet dhe lënda t’i kthehet Gjykatës Themelore në Prishtinë në rigjykim. Kthehet në rigjykim çështja ndaj të akuzuarve A. H., V. B., A. M. dhe N. F.,” thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Gjykata tregoi edhe arsyet pse vendosi ta kthejë rastin në rigjykim. Tha se vendimi i themelores përmban shkelje esenciale te dispozitave të procedurës penale dhe nuk është hartuar në përputhje me ligjin.

“Gjykata themelore nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare për veprat penale keqpërdorim i pozitës dhen autoritetit zyrtar për të akuzuarit A. H. dhe V. B., si dhe për veprat penale mashtrim në detyrë, për pjesën gjykuese ku i akuzuari A. M. është shpallur fajtor, dhe i akuzuari N. F. është lirua nga akuza,” thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.

Apeli konstaton gjithashtu që themelorja në dënimin ndaj ish-ministrave dhe producentëve “nuk përshkruan veprimet inkriminuese të të pandehurve dhe qëllimin e tyre për të kryer vepër penale”.