Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Kthehet në Rigjykim Rasti i Inspektorit të KPMM-së

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e inspektorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Lulzim Çitaku, i cili akuzohet për veprën penale marrje e ryshfetit dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Çitaku akuzohet së në nëntor të vitit 2013 në cilësi të inspektorit të KPMM-së në fshatin Gremnik të Klinës, në bashkëpunim me inspektorin tjetër tanimë të dënuar, Nuredin Bislimi, i kanë kërkuar 1,000 euro mitë Bedri Elezajt, pronar i kompanisë “Elezaj ShPK” për të mos i shqiptuar gjobë për eksploatim të zhavorrit pa licencë.

Më 23 shtator 2015 Gjykata Themelore në Pejë të akuzuarin  Çitaku e kishte liruar nga akuzat që rëndonin kundër tij.

E pakënaqur me këtë vendim të Gjykatës Themelore, Prokuroria ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila më 20 shtator 2016 ka marrë aktvendim me të cilin e anulon aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe rastin e kthen në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast gjyqësor.

http://kallxo.com/shpallet-i-pafajshem-inspektori-i-minierave-dhe-mineraleve/