Pamje nga një takim i mëhershëm i Komisionit për Legjislacion

Kthehet Mbrapsht Projektligji për Kinematografinë

Komisioni për Legjislacion ka vendosur që ta kthejë mbrapsht Projektligjin për Kinematografinë, kurse këtij lajmi i është gëzuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku në faqen e tij zyrtare në “Facebook” e ka mirëpritur kthimin e Projektligjit, duke theksuar se tani do të kenë mundësi që të kontribuojnë në krijimin e tij.

“Po shpresoj që tani kemi me pas mundësi si komunitet dhe institucione me dhënë kontribut që me përmirësu atë draft ligj në komisionin për kulturë i cili deri me tani ka bëre një pune mjaft të madhe mirëpo nuk ka arrit që përfundimisht me i përcjell të gjitha kërkesat e komunitetit artistik dhe të institucioneve”, shkruan ai në profilin e tij në rrjetin social.

Ai kishte reaguar edhe më 4 maj në lidhje më aprovimin e Projektligjit. Në një letër të hapur ai u ka bërë thirrje institucioneve që të mos e kalojnë këtë Projektligj.

Sipas Projektligjit, anëtarët e jurisë të cilët vlerësojnë projektet filmike duhet të kenë shtetësi kosovare, mirëpo një gjë të tillë Zharku nuk e ka pranuar.

Ai ka thënë se disa nga filmat më të mirë kanë qenë bashkëpunim me vendet e tjera dhe gjithashtu edhe juria e cila i ka vlerësuar.

“Nëse këto suksese janë arritur për shkak të përzgjedhjes së jurisë kjo tërësisht po rrënohet me draftin e ri të këtij ligji, duke i mbyllur kufijtë dhe duke reduktuar diversitetin e gjykimeve të projekteve filmike që mund të vijnë nga anëtarët e huaj të jurisë”, thekson ai në letrën e hapur.

Ai gjithashtu ka reaguar edhe ndaj vendimit të Ligjit që “KosovaFilm” të ndalojë veprimtarinë e saj.

“Ministria e tanishme e Kulturës propozoi një draft ligj i cili është edhe më degradues se ligji aktual, ku janë anashkaluar shumë nene të rëndësishme dhe janë zëvendësuar me nene për të cilat komuniteti artistik vlerëson se janë degraduese dhe shkatërrojnë frymën pozitive të industrisë tonë e cila viteve të fundit është ngritur dhe mund të krahasohet me vendet e rajonit. Për shembull pse duhet të shuhet KosovaFilmi kur shumë lehtë mund të ju ndërrohen vetëm aktivitetet e veprimtarisë, dhe të ruhet po i njëjti emër bashkë me pronësinë që e trashëgon”, ka shkruar ai.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 2004 Ligjin për Kinematografinë. Mirëpo, Ministria e Kulturës ka kërkuar vitin e kaluar të bëhet plotësim-ndryshimi i tij.