KShC vendos që të mos rritet numri i studentëve të Mjekësisë

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) në mbledhjen e  sotme ka vendosur që të mos rritet numri i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kështu duke e hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për këtë çështje.

Për këtë pikë votuan katër anëtarë për dhe tre kundër, ndërsa prezent ishin shtatë anëtarët nga nëntë gjithsej.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi javën e kaluar kishte miratuar kërkesën e Senatit të Universitetit të Prishtinës për rritjen e numrit të studentëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, për vitin akademik 2019/2020 në nivelin Bachelor, por se këtë vendim e kishte kritikuar Këshilli Shtetëror i Cilësisë duke e quajtur ndërhyrje politike.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MAShT se si e komentojnë këtë vendim të KShC, por se deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Me 9 korrik të këtij viti, ministri Bytyqi kishte takuar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Dekanen e Fakultetit të Mjekësisë në UP, Suzana Manxhuka-Kërliu, për të diskutuar kërkesën e tyre për rritjen e numrit të studentëve në dy programe studimore.

“Shpreha gatishmëri që kjo kërkesë të realizohet për faktin se është një politikë me interes nacional dhe në funksion të kësaj MASHT është duke marrë veprimet e nevojshme, duke parë të gjitha mundësitë ligjore që kjo kërkesë të jetësohet, gjithnjë duke u bazuar edhe në vendimet e AKA-së.”, kishte thënë ministri i Arsimit.

Kjo mbledhje e KShC është monitoruar nga KALLXO.com.