Krypometrit i vazhdohet licenca ndërkombëtare e verifikimit të fakteve

Rrjeti Ndërkombëtar për Verifikim të Fakteve (IFCN) ia ka vazhduar Krypometrit licencën ndërkombëtare pas një procesi vlerësimi të punës së këtij produkti.

Në njoftimin e publikuar nga ky Rrjet thuhet se pas vlerësimit të kritereve specifike, duket se Krypometri, produkt i KALLXO.com, është një iniciativë ekskluzive e kontrollimit të fakteve që operon brenda një organizate të regjistruar në mënyrë legale.

Cilësia e raportimit është vlerësuar bazuar në storjet e publikuara në muajt shtator, tetor dhe nëntor të vitit të kaluar.

“Konkluzioni i përgjithshëm është se raportimi duket të jetë në përputhje me parimet e korrektësisë, mos-animit politik dhe i bazuar në fakte”, thuhet në njoftimin e Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikim të Fakteve.

“Informimi publik rreth organizatës, punëtorëve të saj dhe burimeve financiare është i qasshëm. Metodologjia e kontrollimit të fakteve është e shpjeguar, korrigjimet janë të theksuara aty ku ndërhyrje të tilla janë bërë në tekst”, thuhet në njoftim.

Për Faik Ispahiun, drejtor i Internews Kosova, ky është një “vlerësim kredibil ndërkombëtar për punën dhe mënyrën e të raportuarit” në KALLXO.com.

“Në kohën kur e vërteta dredhet e përzdredhet pa mëshirë e pa pikë turpi dhe kur qytetarëve u shërbehen propaganda nga më të ultat, një vlerësim i tillë shton kurajon tonë për të raportuar drejt dhe pa mbajtur anë”, tha Ispahiu.

“Certifikimi nga IFCN dhe besimi i publikut na bën krenar dhe na e forcon besimin se Kosova mund të jetë shtet i vlerave dhe të arriturave të vërteta”, shtoi Ispahiu.

Ai nënvizoi se ekipi i KALLXO.com do ta arsyetojë këtë vlerësim me punën e përditshme në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.

“Falënderim i veçantë i takon komplet ekipit të KALLXO.com, Jeta në Kosovë, Drejtësia në Kosovë, Prishtina Insight dhe të publikimeve dhe projekteve të Internews Kosova dhe BIRN: janë kolegët e mi të cilët e kanë merituar certifikimin dhe besimin e publikut”, tha ai.

“KALLXO.com do të vazhdojë punën e vet me standarde si deri tash, duke i shërbyer vetëm interesit publik. Do të vazhdojmë ME KALLXU ME FTYRË, do ta luftojmë korrupsionin, do ta raportojmë të vërtetën e plotë dhe do ta arsyetojmë kredibilitetin e emrit tonë së bashku me krejt ata të cilët përnjëmend punojnë për një Kosovë ku sundon ligji dhe ku vlerat mbizotërojnë”, tha Faik Ispahiu.

Ndërsa Jeta Xharra, drejtore e BIRN Kosova, shpjegoi punën që është bërë në për ta marrë këtë vlerësim pozitiv nga IFCN.

“IFCN e ka një sistem ku nuk mjafton me qenë i mirë vetëm në fillim (në 2018 kur jemi akreditu herën e parë), por në fakt ata në vazhdimësi e matin metodologjinë tonë të vërtetimit të fakteve. Pra mua e kolegëve të mi na duhet të sigurohemi që çdo vit të jemi në nivelin e duhur sepse çdo vit do të na auditojë ky mekanizëm ndërkombëtar”, tha Xharra.

“Për me u bo plotësisht transparente, dua ta ndaj me ju që gjatë këtij procesi sistemi i IFCN na ka analizu se a i kemi burimet kredibile dhe a kemi më shumë se një burim në artikujt që masin vërtetësinë e një deklarate? A i referohemi satistikave të sakta? A i japim mundësi lexuesve me na dërgu informata shtesë? A jemi transparent lidhur me atë se kush na financon?  A jemi të anshëm kur raportojmë, pra a i marrim në artikujt tanë të githa palët e involvuara? A kopjojmë? A bëjmë plagjiat pa iu referuar atyre si duhet? Këto e shumë pyetje tjera janë analizuar nga IFCN. S’ka dyshim që është tepër shëndetshëm për çdo organizatë të kalojë nëpër këtë mbikëqyrje editoriale çdo vjet, sidomos një organizatë që i monitoron institucionet e organizatat tjera”, tha ajo.

“Unë kam pritë që ky kontroll do të na identifikojë ndonjë dobësi dhe kam pritë që do të punojmë për ta përmirësuar atë. Por në fakt, nuk kemi pasur ndonjë rekomandim shtesë. Ndihem rehat që ky auditim i politikës tonë redaktoriale ka dalë “fully compilant” që nënkupton “i përmbush të gjitha kushtet për të vërtetuar faktet” për 2019. Krejt çka mbetet është të sigurohemi që s’na rritet mendja dhe përkushtohemi që të bëjmë çmos me ekipin tonë të mos e ulim kriterin as sot një vit kur metodologjia jonë e punës do të matet prapë se a po zbatohet në praktikë si duhet”, tha Jeta Xharra.

Qëllimi i Krypometrit është të reflektojë mbi vërtetësinë e një deklarate publike, ta skenojë e ta inspektojë një deklaratë të një figure politike lidhur me çështjet me rëndësi të madhe, lokale, qendrore apo ndërkombëtare.

Krypometri nuk fokusohet vetëm te akuzat dhe kundër-akuzat politike që përdoren zakonisht gjatë zgjedhjeve, por synon t’i shpjegojë gjërat e vështira, ta sjellë kontekstin apo historikun e asaj deklarate dhe të paraqesë analizë të të dhënave dhe shpjegim të asaj se si e formulojnë mendimin politikanët, diplomatët e të tjerët për ta shtrembëruar apo për ta hijezuar të vërtetën.

KALLXO.com dhe Jeta në Kosovë janë pjesë të Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN) të Institutit Poynter që është i përkushtuar në promovimin e ekselencës në vërtetimin e fakteve. Një verifikim i paanshëm dhe transparent i fakteve mund të bëhet instrument i fuqishëm për gazetari llogaridhënëse. BIRN Kosova dhe Internews Kosova janë nënshkrues të këtij kodi të parimeve që u shpall me 15 shtator 2016.

https://kallxo.com/krypometri-merr-license-nderkombetare-per-verifikim-te-fakteve/