Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti | Foto: Atdhe Mulla

Kryetari i Vitisë: LDK të Shkojë në Opozitë

Kreu i komunës së Vitisë, Sokol Haliti që është edhe kryetar i degës së LDK-së në këtë qytet, në një prononcim për KALLXO.com tha që sipas tij është më mirë që LDK-ja të shkojë në opozitë.

“Unë për vete jam që LDK-ja të reflektojë dhe me qëndru në opozitë për shkak se qytetarët e kanë dërgu LDK-në në opozitë dhe duhet me reflektu”, tha Haliti për KALLXO.com.

Ai megjithatë deklaroi se organeve qendrore të kësaj parti u mbetet të vendosin se nga do të shkojë LDK-ja pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa në zgjedhjet e 11 qershorit në Viti sipas rezultateve preliminare ka marrë 5 mijë e 842 vota, ndërsa LDK-ja e vetme në 2014-ën kishte marrë 5 mijë e 804 vota, apo 38 vota më pak.

Në 2014-ën në këtë komunë, AKR-ja  kishte pasur 569 vota.

Haliti për KALLXO.com tha që do të kandidojë për kryetar komune në zgjedhjet lokale nëse ka vullnet prej qytetarëve.

“Atë e vlerësojnë qytetarët mbi punën e Komunës së Vitisë. Ne jemi prej komunave me performacën më të mirë në këtë mandat, mirëpo qytetari nëse është për ndryshime, ai mund të vendosë. Në gjithë këtë kohë, unë jam sjellë si kryetar komune dhe jo si kryetar i degës së LDK-së. Vullneti i qytetarëve është që unë të qëndroj për kryetar komune”, tha Haliti, për të cilin është mandati i parë si kryetar komunë i Vitisë.

Në komunën e Vitisë, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur rritje për më shumë se 1 mijë e 800 vota në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Në 2014-ën, Vetëvendosje kishte marrë 4 mijë e 430 vota, ndërsa në zgjedhjet e 11 qershorit ka marrë 6 mijë e 241.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës në 2014 në Viti kishte marrë 4 mijë e 1 vota, AAK-ja 1 mijë e 3 vota dhe Nisma për Kosovën, 1 mijë e 234 vota.

Në total koalicioni PAN, në 2014-ën ka pasur 6 mijë e 238 vota, që në krahasim me votat e këtyre zgjedhjeve, del që së bashku kanë marrë rreth 1 mijë e 900 vota më pak.

Edhe nënkryetari i LDK-së Agim Veliu tha dje për KALLXO.com se “nëse i bën hair LDK-ja është më mirë të qëndrojë në opozitë”.

http://kallxo.com/agim-veliu-nese-ben-hair-ldk-del-ne-opozite/

Të martën, Albin Kurti, kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes i bëri thirrje Koalicionit LDK-AKR-Nisma të nisin bisedimet për krijimin e qeverisë.

http://kallxo.com/kurti-thote-se-thaci-nuk-mund-ta-pengoje-qeverine-e-lvv-se/

Arban Abrashi, anëtari i Kryesisë së LDK-së tha sot pas mbledhjes së qeverisë në detyrë se kjo parti ofertës së Kurtit do t’i përgjigjet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

http://kallxo.com/arban-abrashi-flet-per-oferten-e-kurtit/