Kryetari i KGjK-së nuk e di Numrin e Lëndëve të Vjetruara

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) ka deklaruar se ka lëndë të vjetruara në gjykatat e Kosovës, por nuk ka qenë në gjendje që ta thotë numrin e tyre.

Raporti i BIRN dhe Internews Kosova rreth monitorimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë për vitin 2015 nxjerr vjetrimin e lëndëve si një nga problemet më të mëdha në gjykatat e vendit.

Sado që monitoruesve u është thënë se lëndë të vjetruara nuk ka, Idrizi e konfirmoi të kundërtën në debatin kur u publikua ky raport.

“Nuk e di kush ka deklaruar që nuk ka. Faktikisht ka lëndë të parashkruara, por numrin e saktë nuk e di”, tha ai.

Sipas tij, dalja nga kjo situatë shihet te ndihma e ekspertëve të USAID-it.

“Në bashkëpunim me USAID jemi duke punuar një strategji për kryerjen e lëndëve të vjetra në një afat sa më të arsyeshëm. Besoj që brenda një kohe të arsyeshme do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me ekspertët e USAID dhe akterët që na ndihmojnë”, tha Idrizi.