Kryetari i Shkarkuar Tregon Rreziqet nga Përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka rrezik të përjashtohet edhe nga organizata tjetër ndërombëtare  European Association for Quality Assurance in Higher Education “ENQA”.

Kështu tha për KALLXO.com, ish kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha.

“Si pasojë e përjashtimit nga EQAR,  mund të jetë edhe vendimi i ENQA-së për përjashtim nga ta. Tanimë ajo për të gjitha programet tona të studimeve është një vet-përjashtim i njohjes së bashkëpunimit ndërkombëtar me mundësi vazhdimi për krejt studentët që donë të studiojnë jashtë shtetit”, tha Rexha.

KALLXO.com ka raportuar se organizata ndërkombëtare EQAR ka marrë vendim për përjashtim të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Në vendimi e kësaj organizate thuhet se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka dështuar të ofrojë prova për “mos përmbushje të detyrimeve” dhe “parregullsi” të bordit të shkarkuar, duke u thirrur në të “dhëna konfidenciale” të kryeministrit për “parregullsi” të disa anëtarëve të Bordit të AKA.

E ish kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë së AKA-së, Blerim Rexha, i shkarkuar së bashku me anëtarët e tjerë të bordit për KALLXO.com tha se është për keqardhje forma e arsyetimit të ministrit Bytyqi.

“Nëse ministri i di ato fshehtësitë që i ka dhënë në letrën e vet dhe ka sekrete shtetërore le tua  dërgon ENQA-së dhe EQAR-it dhe besoj që do ta heqin vendimin e vet ose do ta lënë vendimin e vet. Mirëpo është për keqardhje forma se si ministri ka dashur të arsyetohet në formën e vendimit të vet para  një bordi siç është EQAR”, deklaroi Rexha për KALLXO.com.

Rexha tha se ky lajm i cili ka ardhur për Agjencinë e Kosovës për Akreditim nuk e ka gëzuar atë.

“Unë po ndihem keq, dhe assesi nuk më gëzon ky lajm. As mua dhe askënd në Kosovë që punon në Arsimin e Lartë nuk e gëzon ky lajm sepse personalisht kam qenë i involvuar mirëpo ai është njëri prej kontributeve që i bëjë unë në Arsimin e Lartë dhe po ndihem keq”, tha Rexha.

Ai tregoi se para shkarkimit të tij, ai ishte takuar me ministrin e Arsimit Shyqiri Bytyqi por që kurrë nuk kishin diskutuar për Arsimin e Lartë në Kosovë.

“Unë ministrin e kam takuar 15 minuta ashtu sic kam thënë edhe në letrën time pas shkarkimit. Përndryshe unë ministrin asnjëherë se kam takuar për këtë temë dhe as që kemi diskutuar asnjëherë për Arsimin e Lartë”, deklaroi Rexha.

http://kallxo.com/orca-kerkon-llogari-nga-haradinaj-per-perjashtimin-e-agjencise-kosovare-te-akreditimit/