Foto: Komuna e Rahovecit

Kryetari i Rahovecit kërkon respektimin e orarit të punës nga punonjësit e administratës komunale

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka mbajtur takim me të gjithë punonjësit e administratës komunale, me të cilët ka biseduar për respektimin e orarit të punës dhe angazhimin e tyre në kryerjen e punëve me më efikasitet.

Kryetari Latifi, gjatë takimit ka kërkuar nga punonjësit e administratës që të respektojnë orarin e punës, i cili fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:00 duke përfshirë edhe pushimin nga ora 12:00 deri në orën 13:00.

Latifi ka thënë se duke u bazuar në sistemin e vijueshmërisë së punonjëseve në punë, ka raste që punëtori vjen në punë pas orës 8:00 dhe del nga puna para orës 16:00.

“Ju njoftoj se ata punonjës, që nuk e respektojnë orarin e punës do të marrin vërejtje dhe sigurisht që nga muaji shtator do të fillohet me heqjen e mëditjeve nga paga e juaj. Andaj respektimi i orarit të punës, është mirë për ju, për ne dhe sigurisht kjo do të ndikoj edhe në rritjen e efikasitetit, në kryerjen e punëve karshi qytetarëve, pasi që ka ankesa nga ana e qytetarëve për mos prezencën tuaj në punë”, ka thënë kryetari Latifi.

Më tej Latifi ka kërkuar nga punonjësit që t’i planifikojnë pushimet vjetore, të cilat i kanë të garantuara me ligj, por paraprakisht të koordinohen me eprorët e tyre, në mënyrë që mos të krijohen probleme në mbarëvajtjen e punëve në administratë karshi qytetarëve, shkaku i shkuarjes në pushime vjetore.

“Ju njoftoj se sistemi i vijueshmërisë së punonjëseve në punë shumë shpejt do të instalohet edhe në Qendrën për Punë Sociale dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Fahredin Hoti”, në qytetin e Rahovecit”, ka theksuar Latifi.