Hysni Gucati

Kryetari i OVL - UÇK-së: 11 pjesëtarë të UÇK-së janë të thirrur për në Hagë

Kryetari i OVL- UÇK, Hysni Gucati për KALLXO.com ka treguar se sipas listës që posedon, 11 pjesëtarë të UÇK-së, janë thirrur nga Gjykata Speciale.

“Nuk dua të spekuloj por, për momentin janë ftuar diku 11 vetë, i dimë emrat dhe mbiemrat por kolegët nuk i kanë bërë publike, por ne i dimë”, tha Gucati për KALLXO.com.

Gucati gjithashtu e quajti Gjykatën Speciale të panevojshme dhe raciste.

“Kjo është e papranueshme, kjo gjykatë ka qenë e panevojshme dhe e njëanshme edhe raciste. Kur them raciste për arsye se është e njëanshme nuk përfshin të gjitha krimet e luftës që kanë kryer paramilitarët serb”, tha ai.

Sipas tij, deklaratat për krimet në Kosovë dhe kohën e luftës, janë dhënë në gjykata kompetente ato vendore dhe të EULEX-it.

“Për hir të shtetit dhe Qytetarëve të Kosovës, kësaj gjykatë nuk kemi dashur t`i përgjigjemi fare hiq. Ne e kemi tregu punën tonë, në Gjykatën e Amerikës, në gjykatën e EULEX-it e në gjykatat tona. Nuk ka qenë fare e nevojshme Gjykata Speciale”, tha Gucati për KALLXO.com.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar se dy komandantë të UCK-së, do të udhëtojnë në vikend për në Hagë.

Kjo pasi që Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa janë ftuar nga Gjykata Speciale.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i tyre mbrojtës,  Arianit Koci.

Koci tha se Lushtaku dhe Mustafa gjatë vikendit do të udhëtojnë për Hagë, me fluturim të rregullt ndonëse për datën e intervistimin tha se ende nuk ka dijeni.

 

https://kallxo.com/sami-lushtaku-ftohet-nga-gjykata-speciale/

 

KALLXO.com ka raportuar lidhur me ftesat e Gjykatës Speciale.

 

https://kallxo.com/shtate-ftesa-ne-hage-kmdlnj-reagon-per-menyren-e-thirrjes/

.