Xhafer Gashi - Foto: Facebook

Kryetari i Obiliqit llogarit të hyra edhe rimbursimin nga kuponët fiskalë

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme vlera e së cilës është rreth gjysmë milioni ose saktësisht, 414 mijë e 80 euro.

Sipas deklarimit në Agjencinë Kundër Korrupsion, pasuria e paluajtshme e Gashit përfshinë një banesë, dy shtëpi dhe një shtëpi pushimesh.

Gashi ka deklaruar se fëmijët e tij vozisin veturë Golf 5 vlera e së cilës është 5 mijë e 500 euro.

Ai ka thënë se është aksionar në dy kompani.

Në kompaninë e sigurimit fizik, teknik dhe elektronik, Gashi ka 55 % të aksioneve ndërsa në poligonin e shenjëtarisë “Katana” ka 35 % të aksioneve.

Gashi detyrime ndaj institucioneve financiare ka gjithsej 44 mijë e 80 euro.

Të hyrat vjetore të Gashit arrijnë shifrën e 38 mijë e 72 eurove.

Paga vjetore si kryetar Komune e Gashit është 13 mijë e 788 euro në vit, bashkëshortja e Gashit të hyrat vjetore i ka deklaruar 18 mijë euro të cilat i merr nga poligoni ku Gashi është aksionar.

Pensioni i prindërve të Gashit arrin vlerën e rreth 3 mijë eurove.

Në të hyrat vjetore të fëmijëve Gashi ka deklaruar se marrin pagë nga poligoni i shenjëtarisë, vlera e së cilës është 3 mijë e 200 euro.

Gashi ka deklaruar edhe të hyra nga rimbursimi i kuponëve fiskalë.