Ereniku
Kryetari i Junikut i kërkon Haradinajt të shfuqizojë vendimin për punimet që e dëmtojnë Erenikun
Agron Kuçi, kryetari i Komunës së Junikut në një ftesë publike ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të shfuqizojë vendimin për punimet dhe veprimet e paligjshme siç i ka quajtur ai përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e lumit Ereniku i Vogël.
Sipas kryetarit Kuçi, këto punime ndikojnë në devijimin e rrjedhës natyrale të këtij lumi.
Madje kryetari i ka përmendur kryeministrit edhe se pse këto veprime janë të paligjshme.
Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të kryetarit të Junikut, Agron Kuçi.
F T E S Ë P U B L I K E
I Nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj !
Po vazhdojnë punimet dhe veprimet e paligjshme përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit “Ereniku i Vogël” nga ana e Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo ndikon në devijimin e rrjedhës natyrale – historike të këtij lumi !
Punimet po vazhdojnë përkundër faktit se komuna e Junikut dhe qytetarët e saj kanë dorëzuar kërkesën dhe peticionin për shfuqizimin e vendimeve lidhur me këtë çështje në zyrën tuaj me datë 26.04.2019.
I nderuar Kryeministër, veprimet që po bëhen janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr.04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Ligjin Nr.04/L-086 për Parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Ligjin Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin Nr.03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës dhe me Normat, Konventat Ndërkombëtare të Ujërave.
Andaj, mbi këtë bazë, bashkë me shqetësimin legjitim të qytetarëve të komunës sonë, Ju bëjmë Ftesë Publike që si Kryeministër i vendit dhe Kryetar i Këshillit Ndërministror të Ujërave të Kosovës, të veproni ligjërisht dhe t’i shfuqizoni këto vendime.
Veprimi i juaj bën që Ju, të mos viheni në anën e qytetarëve të Junikut, Rekës, Lugut dhe as të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjinit por në anën e së drejtës, ligjshmërisë dhe interesit të përgjithshëm.
Në pritje të vendimit tuaj, ju përshëndes !
Me respekt, Agron Kuçi – Kryetari i Komunës së Junikut !
KALLXO.com kishte raportuar në prill të këtij viti se Komuna e Junikut u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e protestës për mbrojtjen e lumit Erenik.
Sipas njoftimit të komunës në atë kohë, kjo protestë do të mbahej kundër vendimeve të kundërligjshme të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe KRU “Gjakova”, të cilët po tentojnë të devijojnë rrjedhën natyrore të Lumit “Erenik”.
E kjo iniciativë sipas tyre, është në kundërshtim me ligjin e Republikës së Kosovës dhe Konventat Ndërkombëtare për ujëra.
https://kallxo.com/juniku-paralajmeron-proteste-per-mbrojtjen-e-lumit-erenik/
Një muaj më vonë KALLXO.com kishte raportuar se Komuna e Gjakovës për vitin 2019 nga investimet kapitale kishte planifikuar ndërtimin e një dige në lumin Erenik, në fshatin Botushë të kësaj komune.
Por si pasojë e degradimit të shtratit të këtij lumi, nga kompanitë që marrin zhavorr pa leje, Komunës i ka dështuar plani, pasi mjetet e ndara në shumën prej 50 mijë eurove janë të pamjaftueshme.
https://kallxo.com/si-pasoje-e-degradimit-te-lumit-erenik-komunes-se-gjakoves-i-deshton-plani-per-ndertimin-e-diges/
www.kallxo.com