Carmel Agius

Kryetari i Gjykatës së Hagës: Mohuesit e gjenocidit duhet të ndiqen penalisht

Kryetari i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, Carmel Agius, tha në Sarajevë se njerëzit që mohojnë gjenocidin duhet të dënohen dhe të ndiqen penalisht.

 

Kreu i gjykatës së OKB-së Carmel Agius tha të enjten në një konferencë të titulluar “Stop mohimit të gjenocidit dhe holokaustit” në Sarajevë se mohimi i gjenocidit është i papranueshëm dhe ata që e bëjnë këtë duhet të ndiqen penalisht.

“Ne duhet të reagojmë gjithmonë duke dënuar fuqishëm ata që e mohojnë atë,” tha Agius.

“Është koha të fillojmë një sulm të madh kulturor. Njerëzit që mohojnë gjenocidin duhet të zbulohen,” shtoi ai.

Kryeprokurori i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, Serge Brammertz tha se mohimi i gjenocidit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës po përkeqësohet nga viti në vit.

“Në zemër të Europës kriminelët e luftës pranohen si heronj. Kjo është e papranueshme,” tha Brammertz.

Zyrtarët serbë të Bosnjës refuzojnë të pranojnë se masakrat e Srebrenicës në vitin 1995 përbënin gjenocid, ndërsa zyrtarët serbë kanë mirëpritur të dënuarit për krime lufte pas lirimit të tyre nga burgu.

Munira Subasiq nga Shoqata Nënat Srebrenicës dhe Enklavave të Zepës, e cila bashkë-organizoi konferencën, tha se 24 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, krimi vazhdonte të mohohej dhe e vërteta të kontestohej.

“Të gjithë ata që kryen krimin duhet të identifikohen me emrat e tyre të plotë si kriminelë lufte,” tha Subasiq.

Këshilltari Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Parandalimin e Gjenocidit, Adama Dieng, i cili mori pjesë në konferencë nëpërmjet një video-mesazhi, tha se të mbijetuarit, viktimat dhe dëshmitarët e gjenocidit janë heronjtë e vërtetë.

“Mohimi i gjenocidit është i vërtetë. Ai përdoret për qëllime politike, është i përhapur përmes rrjeteve sociale dhe shkakton frikë, urrejtje dhe mospajtim,” tha Dieng.

Anëtari boshnjak i presidencës shtetërore trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, tha në konferencë se pranimi i së vërtetës nga të gjitha palët është një parakusht për stabilitetin.

“E vetmja rrugëdalje është miratimi i një ligji për ndalimin e mohimit të gjenocidit dhe ndëshkimin e ashpër të kësaj,” tha Xhaferoviq.