Kryetari i FFK-së tregon sa bileta janë në dispozicion për tifozët Kosovar

Dita e enjte do t’i përkushtohet në tërësi sportit, pasi luhet ndeshja për kualifikimet në Ligën e Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Maltës në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim prej orës 20:45.

Interesimi i madh i qytetarëve për ta pasur një biletë për këtë ndeshje ka bërë që të shkaktohen tollovi të mëdha nëpër pikat e shitjes duke krijuar habi se sa bileta janë në disponim për tifozët.

KALLXO.com për këtë çështje ka kontaktuar të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademin.

Ademi ka thënë se janë munduar të bëjnë çmos në mënyrë që tifozët kosovar të kenë më të lehtë që të pajisen me një biletë në mënyrë që ta shohin ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Maltës.

Ai ka thënë se fati i keq është që në dispozicion bileta për shitje janë vetëm 12 mijë për “dardanët”. Pasi 400 bileta janë të lira për arsye të çështjeve të sigurisvë, evakuimit pasi këtë e ka kërkuar UEFA.

“Jemi munduar t’i bëjmë çmimet e lira në mënyrë që secili qytetar në Kosovë me mujt me e pa lojën  ose me e ble një biletë. Mirëpo, fati i keq është që kjo i ka vetëm 12 mijë bileta. 400 bileta duhet me qenë të lira, ato vende duhet me qenë të lira për çështje të sigurisë, evakuimin të cilin e kërkon UEFA”, ka bërë të ditur Agim Ademi për KALLXO.com.

Ndryshe kapaciteti i stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë është 13500 ulëse.