Agim Ademi, kryetar i FFK-së. Foto: Kallxo.com

Kryetari i FFK-së Agim Ademi para gjyqit nën akuzat për kërcënim e kërkim të 30 mijë Eurove

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi do të dalë sot para gjyqit për t`u përballur me akuzat për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.

Ademi po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person. E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke.

Në aktakuzë thuhet se dy të akuzuarit e lartpërmendur kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit “BMW X5”, me qëllim të ndikimit të tyre në vendimmarrjen e Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

 

https://kallxo.com/prokuroria-akuzon-kryetarin-e-ffk-se-per-kercenim-me-vdekje-te-nje-personi/

 

Ky gjykim udhëhiqet nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj si dhe dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues gjykatësit Vesel Ismajli e Naime Krasniqi-Jashanica.

Në pikën e parë të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për vetën e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyroj atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të ua jep atyre një veturë të tipit BMW X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej tridhjetëmijë eurove apo një veturë të tipit “BMW X5”, në lidhjen me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.