Nexhat Demaku, Kryetar i Komunës së Drenasit

Kryetari i Drenasit në Gjyq për Banesën e Kontestuar

Ata akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale  të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nexhat Demaku, në cilësinë e kryetarit te Komunës se Drenasit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat kur ka lidhur kontratë me Fadil Shishanin, si qiramarrës, në prill të vitit 2009 për dhënien me qira të banesës në rrugën “Skenderbeu”.

Kontrata ia mundësonte Shishanit të përfitojë të drejtën e shfrytëzimit të banesës të të dëmtuarës Zejnepe Buzhala.

Ndërsa të akuzuarit tjerë Demiri dhe Halilaj akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, si drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, respektivisht zyrtar për Çështje Banesore ne Komunën e Drenasit, së bashku kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale pasi dyshohet se i kanë tejkaluar kompetencat duke nxjerrë aktvendim me të cilin e kanë detyruar të dëmtuarën Zejnepe Buzhala që së bashku me familje ta lirojë banesën.

Në këtë seancë zyrtarët e kundërshtuan aktakuzën, duke thënë se në këtë rast nuk ka asgjë kontestuese, pasi që banesa për të cilën është ngritur ky kontest është pronë e Komunës.

Zyrtarët komunalë të Drenasit kërkuan nga Gjykata që ta hedhë poshtë aktakuzën dhe që ndaj tyre te pushojnë procedurat.

Ndërsa prokurori i rastit në fjalën e tij deklaroi se ka prova të mjaftueshme më të cilat vërtetohet aktakuza, prandaj kërkoi nga Gjykata që t’i hedhë si të pabazuara kundërshtimet e të akuzuarve.

Ky është procesi i dytë gjyqësor ndaj kryetarit të Komunës së Drenasit.

Në të parin, Nexhat Demaku dhe dy zyrtarë të tjerë komunalë akuzoheshin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” në rastin e një parcele toke prej 4 hektarësh, të cilën Komuna e konsideron të veten, ndërsa Gjykata Supreme e ka vlerësuar private. Në këtë pronë është ndërtuar një shkollë publike.

Për këtë rast, kryetari Demaku në tetor të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim. Kurse, i akuzuari tjetër, Mehdi Kurumeli, drejtor në Shërbimin Kadastral të Komunës, është dënuar me 1 vit. I akuzuari i tretë, Shefqet Morina, është liruar nga akuzat.

Kryetari Nexhat Demaku ishte shprehur “i befasuar” me vendimin e Gjykatës dhe me avokatin e tij, Ibrahim Dobruna, paralajmëruan se do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit, e cila, siç shpresojnë ata “do ta përmirësojë gabimin e gjykatës së shkallës së parë“.