Kryetari i Dragashit 'Nuk i Di' të Drejtat për të Nënshkruar për Lejen Ndërtimi

Dy të akuzuarit e parë Salim Jenuzi dhe Bean Haxhihasan, arritën të përfundojnë deklarimet e tyre, ndërsa Vetim Hasani dhe Nexhat Selaj do të merren në pyetje më 8 shtator 2017.

I akuzuari Salim Jenuzi, i cili që nga 27 dhjetori i vitit 2007 e udhëheq komunën e Dragashit, para trupit gjykues të hënën deklaroi se e din që Nexhat Selaj ka blerë një objekt nga një polic me emrin Vezaip Krasniqi, për të cilin objekt tha se kohën e fundit sipas tij ishte përdorur si lokal afarist.

Sipas kryetarit Jenuzi, Nexhat Selaj ka pasur leje për ndërtimin e atij objekti afarist.

Ndërsa i pyetur nga prokurori se a është në kompetencën e tij si kryetar që të nënshkruajë lejet për ndërtim, Jenuzi u përgjigje se nuk e din. Ndërsa, sa i përket nënshkrimit të dhënë për lejen e ndërtimit për Nexhat Selajn, ai, tha se në mungesë të drejtorit e ka nënshkruar si kryetar.

02:22- 02;59 Salim Jenuzi- i akuzuar

“Edhe atëherë nuk kam thënë se e kam nënshkruar me sa më kujtohet, por kur më ka treguar kopjen dhe e kam parë se nënshkrimin është për drejtorin e urbanizmit atëherë kam pranuar se kam nënshkruar nuk është ajo diçka që unë nuk e ka bërë”, tha ai.

Kryetari Jenuzi, po ashtu tha se më vonë e kishte kuptuar se vendimi për lejen e ndërtimit ishte anuluar, ndërsa nuk dinte për atë se pse ka vazhduar ndërtimi i objektit edhe më tutje.

I akuzuari Bean Haxhihasan, marrja në pyetje e të cilit u bë në gjuhën boshnjake, tha se Nexhat Selaj është obliguar që ta kthejë objektin në gjendjen e mëparshme, në banesë e jo në lokal afarist.

Haxhihasan para trupit gjykues deklaroi se vendimin për lejen e ndërtimit për Nexhat Selajn e kishte përpiluar zyrtari i urbanizmit Florim Krasniqi, pa dijeninë e tij si drejtor i urbanizmit.

Këtë vendim të përpiluar nga zyrtari i urbanizmit, Haxhihasan, tha se e ka nënshkruar kryetari i komunës dhe, sipas tij, është rasti i vetëm që kryetari të ketë nënshkruar vendime të tilla, përderisa nuk i kujtohej se a kishte qenë në punë atë ditë kur ishte nënshkruar ky vendim.

Pas marrjes në pyetje të dy të akuzuarve të parë seanca gjyqësore u ndërpre, për t’u shtyrë deri më 8 shtator 2017 ku do të vazhdohet më marrjen në pyetje të dy të akuzuarve tjerë, Vetim Hasani dhe Nexhat Selaj.

Salim Jenuzi akuzohet se nga viti 2009 deri në vitin 2016 në Dragash me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit komunës ia mundësoi pronarit të furrës “Evropa”, Nexhat Selajt, përvetësimin e kësaj patundshmërie.

Në pronën shoqërore Selaj më pas kishte ndërtuar objekt dykatësh pa vendim të asamblesë në Dragash, ndërsa këtë gjë nuk e kishin penguar drejtori i Urbanizmit në këtë komunë Behan Haxhihasani dhe inspektori komunal i ndërtimtarisë Vetim Hasani.

Salim Jenuzi vite më parë ishte akuzuar për një rast tjetër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por në janar të vitit të kaluar u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren.