Kryesuesi i ri i KPK-së tregon a do ta thërras “shef” Adem Grabovcin

Drejtuesi i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës, BahriHyseni komentoi përfshirjen e tij në rastin e përgjimeve ‘Pronto’.

Hyseni i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” tha se ka konkuruar për pozitën që tani më ka marrë.

“Unë e kam sqaru edhe në rastin e parë para disa ditëve, por edhe njëherë, në mënyrën më të sinqertë po du me sqaru. Bahri Hyseni asnjëherë nuk ka apliku, konkuru, në asnjë bord asnjëherë. As nuk kam konkuru as nuk jam zgjedh dhe as nuk jam unë aj Bahri Hyseni që keni sot në emision, ai për të cilin po flitet dhe është përfolur apo ka qenë i interesuar për bordin KOSTT. Nuk e di a e ka gabu emrin, por numrin, unë e di saktë kush është ai Bahri Hysen, por nuk jam unë”, tha Hyseni.

Hyseni tregon tutje se a ka marrë urime nga ish- shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.

“Nuk më ka thirrë (Adem Grabovci), ma kanë uruar shumë njerëz i falënderoj të gjithë. Është e vërtetë që e përdor fjalën shef, por jo për shkak të fuqisë së dikujt. Fjalën shef e kam përdor si respekt. Unë kam punu në Ministrinë për Shërbime Publike si shërbyes civil kam qenë sekretar. Ministria për Shërbime Publike, në kuadër të saj ka pasur shumë ministri. Në pamundësi për ti njohur të gjithë emrat e kam përdor emërtimin shef por asnjëherë nuk e kam përdorur për shkak të fuqisë apo çështje tjera”, tha ai.

Kryesuesi i KPK-së, tregoi se a do ta thërras Adem Grabovcin “shef” ashtu siç është dëgjuar në përgjimet e publikuara për rastin “Pronto”.

“Nuk e di mendoj që do ta eliminoj (fjalën shef), se po e shoh që po keqpërdoret në opinion publik. Do të mundohem ta eliminoj”, tha Hyseni.

Bahri Hyseni, tani kryesuesi i KPK-së, ka qenë njëri nga më të përfolurit e rastit të njohur për publikun si “Pronto”.

Në përgjimet e publikuara në media, Hyseni dëgjohet teksa e thërret “shef” ish- Shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin ndërsa tregon se nuk ka “kunkuruar” për një pozitë të cilën e pyet Grabovci në një bord.

Emisionin e plotë “Jeta në Kosovë” mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm

https://kallxo.com/ish-deputeti-i-pdk-se-merr-timonin-e-keshillit-prokurorial-te-kosoves/

https://kallxo.com/bahri-hyseni-kunkurron-per-kryesues-te-kpk-se/

https://kallxo.com/rasti-pronto-adem-grabovci-dhe-11-te-tjeret-sot-ne-gjyq/