Kryesuesi i Ri i KGJK-së Merr Detyrën

Nehat Idrizi ka marrë sot edhe zyrtarisht detyrën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për një mandat 6-vjeçar.

Në një ceremoni të dorëzim-pranimit të detyrës, tashmë ish-kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci, i ka dëshiruar sukses kolegut të tij, duke i premtuar se do ta ketë përkrahjen e tij në çdo kohë.

Me këtë rast, Enver Peci theksoi se sistemi gjyqësor ka nevojë për përmirësime dhe i përmendi prioritetet dhe sfidat e gjyqësorit –  zvogëlimi i numrit të madh të lëndëve, ngritja e profesionalizmit, ngritja e transparencës dhe problemet e integrimit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

Ish-kryesuesi i KGJK-se teksa foli për të arriturat dhe dështimet gjatë mandatit te tij gjashtëvjeçar përmendi ristrukturimin, paanshmërinë dhe pavarësinë e gjyqësorit, korrupsionin dhe numrin e madh të lëndëve.

“Gjyqësori ka nevojë për pavarësi dhe paanshmëri në vendimmarrje. Konsideroj se e kemi arritur këtë në kuptimin legjislativ… Duke e ditur se Kosova është e vogël, ka interferime… Kohëve të fundit është bërë një pavarësim i sistemit gjyqësorit në kuptim të buxhetit, deri vonë i jemi drejtuar Ministrisë së Financave, e tash mundemi drejtpërdrejt Kuvendit”, theksoi ai.

Problemi më i madh sipas Pecit ka qenë numri i madh i lëndëve, gjë që, sipas tij, e ka ulur besimin e qytetarëve në gjyqësor.

Ai theksoi se gjyqësori është në rrugë të mirë në aspektin e rritjes së transparencës me publikimin e aktgjykimeve që do të bëhen në një të ardhme të afërt.

“Duhet të rritet edhe më tutje llogaridhënia”, theksoi Enver Peci. [interaction id=”56def9054ab46a0103a20571″]

Ndërsa, kryesuesi i ri i KGJK-së shfaqi shpresën se me angazhimin e kolegëve dhe stafit dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera, si vendore e ndërkombëtare të cilat ndihmojnë sundimin e ligjit, do t’ia dalin që hap pas hapi ta kthejnë besimin te publiku, duke siguruar transparencë në kuadër të dispozitave ligjore, me plotësimin vendeve të lira të punës (zëvendësimin e gjykatësve të pensionuar dhe atyre që janë caktuar në pozita të tjera).

Sfidë e madhe, sipas Nehat Idrizit, mbetet integrimi i pjesës veriore në sistemin gjyqësor.

Po ashtu, kryesuesi i ri e pranoi se e pret një punë e madhe për kthimin e besimit të qytetarëve dhe se në këtë drejtim duhet të punohet shumë për zvogëlimin e numrit të madh të lëndëve gjyqësore.

Gjykatësi Nehat Idrizi është zgjedhur në këtë post në votimet e KGJK-së më 10 shkurt 2016.

http://kallxo.com/beteja-per-kryesues-te-keshillit-gjyqesor/

Në një intervistë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, kryesuesi i ri i KGJK-së kishte premtuar se do të punojë për ta rikthyer besimin e qytetarëve në gjyqësor.

http://kallxo.com/idrizi-do-ta-rikthej-besimin-e-qytetareve-ne-gjyqesor/